​Haradinaj: Kot e kanë ata që duan ta fëlliqin luftën tonë

0

Kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan që nga mëngjesi ishte vendi ku ishin drejtuar qytetarë të shumtë.

Te varrezat ku prehen dëshmorët e Dukagjinit njerëz të shumtë kanë shkuar për të bërë homazhe por edhe për të kujtuar betejën e 24 marsit të vitit 1998.

Për nder të kësaj beteje është organizuar edhe një akademi përkujtimore ku tha se lufta e UÇK-së ishte kthesë historike ndërsa Epopeja e Dukagjinit si ngjarje që kishte ngritur moralin e shqiptarëve, të cilët ishin të etur për liri.

Nga Gllogjani u bë thirrje, që shqiptarët të mos jenë të bashkuar vetëm në përvjetorë, por gjithmonë.

Presidenti i Kosovës  Hashim Thaçi tha se Epopeja e Dukagjinit shënon një kthesë historike në luftën për liri,  pavarësi e çlirim.

Ai në fjalimin e tij përmendi edhe ndihmën e SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare për të cilët tha se duhet që t’i ruajnë si sytë e ballit.

Me këtë rast presidenti i Kosovës ka dekoruar me  “Hero i Kosovës”, 12 dëshmorë të Dukagjinit.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka qenë edhe vet protagonist kryesor i Epopesë së Dukagjinit  tha se kjo luftë është simbol i rezistencës.

Ai ka thënë  se djemtë e  Dukagjinit çdo herë kanë bërë nam në luftë.  Haradinaj nga Gllogjani është shprehur i bindur se lufta e shqiptarëve ka qenë e pastër dhe kushdo që mundohen ta njollosin e kanë gabim.

E, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama tha se është privilegj qe sot të flas në cilësinë e komandantit të FSK-së , tashmë ligjërisht në mandatin e ushtrisë.

E, kërkesa e vëllaut të Adem Jasharit, Rifat Jashari ishte qe shqiptarët të mos jenë të bashkuar vetëm në përvjetorë.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 24 marsi i para 21 viteve ëdhtë harta e sakrificës dhe lirisë, e cila ka ngritur moralin e popullit shqiptar të etur për këtë liri.

Gjatë luftimeve të zhvilluara në Gllogjan, më 24 mars të vitit 1998 ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj./KosovaPress/