Policia për protestën e nesërme të opozitës: Do të tentojnë të hyjnë me forcë në Parlament

0

Policia e Shtetit i ka bërë thirrje sot partive të opozitës që të distancohen nga skenarët e dhunës që po përgatiten sipas saj për protestën e nesërme.

Policia thotë se partitë opozitare do të tentojnë të futen me forcë në sallën e Kuvendit.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”, thuhet në deklaratë, raporton tch.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues.

Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë nesër lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht.

Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune.