Haradinaj takon ministrin Mustafa: Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenas, të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm

0

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar sot ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa dhe zyrtarë tjerë, nga të cilët ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit.

Ky është postimi i Haradinajt në Facebook:

“Sot, kam pritur në takim pune Ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, Ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, Kryeshefen e Inspektoratit Policor Miradie Kelmendi dhe Kryeinspektorin e Arsimit Defrim Gashi, nga të cilët kërkova që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.

Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit.

Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit.

Njëkohësisht, kërkoj nga të gjitha mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen”.