Osmani: Fillimi i negociatave me BE-në varet nga ne

0

Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, u mbajt mbledhja e 41 e Komitetit të Punës për Çështje Evropiane (KPIE), në të cilën u diskutuan temat aktuale lidhur me integrimet evropiane të vendit: skriningu shpjegues, statusi i zbatimit të Planit 18, statusi i NPAA 2019-2021, statusi i absorbimit të IPA-s. Në mbledhje u bë një përmbledhje e indikatorëve kyç përmes të cilëve ndiqet progresi në procesin e integrimit evropian të vendit tonë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Gjatë mbledhjes zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se gjatë rrugës të integrimeve evropiane nuk kemi pengesa dhe se fillimi i negociatave varet nga ne.

“Fokusi i periudhës së ardhshëm do të jetë në masat që merren për realizimin e rekomandimeve të raportit të Bashkimit Evropian për vitin 2017, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Reformave urgjente prioritare, dy raportet e grupit të ekspertëve të lartë në fushën sundimit të ligjit, Plani 18, sugjerimet dhe rekomandimet nga mbledhjet e organeve në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, rekomandimet e Raportit të misioneve vlerësuese dhe mbledhjet e mbajtura në nivel teknik, dhe në këtë drejtim sot do ti shqyrtojmë aktivitetet e realizuara deri më tani”, tha Osmani.

Në vazhdim të mbledhjes u shqyrtua edhe statusi i realizimit të NPAA-s 2019-2021, statusi i zbatimit të IPA-s, si dhe statusi i realizimit të detyrimeve nga misionet vlerësuese.

Komiteti i Punës për Integrime Evropiane (KPIE) është trup më i lartë administrativ në Qeverinë ku anëtarë janë sekretarët shtetëror të ministrive, kryesuesit e Nën-komiteteve, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, si dhe pjesë e administratës së Sekretariatit për Çështje Evropiane.