Bush-Berisha, Bolton-Rama!

0

Dje, në një seancë të ndezur parlamentare, ku Edi Rama dukshëm kishte humbur ekuilibrin psikik, duke përdorur një fjalor dhe retorikë të cilën rëndom e përdor ndaj ministrave dhe vartësve të tij, u krejis i ngazëllyer, se kishte në axhendë një bisedë telefonike me Shtëpinë e Bardhë.

Siç doli pak orë më vonë, bëhej fjalë për një telefonatë e thirrur nga Këshilltari i Presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i cili pasditen e djeshme bëri shumë të tilla me krerë shtetesh në rajon.

Nuk është ende krejtësisht e qartë, se nga i buron tërë ai makth që shpalosi në parlament gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe sot në mëngjes. Por me gjasë në kushtet kur dyert po i përplasen sistematikisht në fytyrë, nga Roma në Berlin, nga Londra në Ankara, nga Brukseli në Paris, duket qartë se e vetmja fije shpresë që i ka mbetur është lidhja përtej oqeanit me John Bolton. Një lidhje kjo e krijuar së fundmi me ndihmën e Thaçit dhe të Vuçiç, për arsye që po zbardhen me shpejtësi.

Që inferioriteti dhe makthi janë shoqëruesit e vetëm në rrugën që Edi Rama po ecën në marrëdhëniet me Washingtonin, u duk qartë kur vetëm pak ditë pasi Sekretari i Shtetit Pompeo telefonoi Bushatin dhe jo Ramën, për të falenderuar për përzënien e dy diplomatëve iranianë, nxitoi dhe e shkarkoi këtë të fundit!

Për fatkeqësinë e shqiptarëve dhe fatin e mirë të Ramës dhe të Thaçit (tani për tani), një një njeri që ka qenë kundër çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, aktualisht ka okupuar një post kyç të politikës së jashtme të SHBA-ve. Pikërisht me emërimin e tij në Shtëpinë e Bardhë dolën në sipërfaqe, edhe idetë për ndryshime kufijsh.

John Bolton i telefonoi dje Edi Ramës, ashtu siç i telefonoi më herët Haradinajt, e në darkë Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç. Tema e vetme ishte, marrëveshja Kosovë-Serbi dhe ndarja e Kosovës.

Se çfarë “ububu” të jashtëzakonshme kishte simbolika e telefonatës për Ramën, kryeministër i një vendi anëtar i NATO-s dhe i një vendi faktor kyç në Ballkan, vetëm mendja e tij e sëmurë e di.

Siç duket, Rama nuk e ka harruar akoma zhgënjimin e tij, kur para dy vitesh, John Bolton, vizitoi Tiranën për tu takuar me përfaqësues të MEK dhe Pandeli Majkon, por nuk denjoi as ti hidhte sytë nga Rama. Prandaj gëzon, si ai fëmija kur i flet Goni (simbolikë që përdor vetë) që është më i forti i lagjes.

Nën efektin e substancave, ai arriti deri aty sa ti përmendte Sali Berishës raportet e këtij të fundit me Washingtonin. E kujt, pikërisht Sali Berishës!

Me besimin se Rama është më i kthjellët e më i qetë sot, po i kujtojmë se Sali Berisha kur ishte në vendin që mban tani Rama, solli në Tiranë George W. Bush, President i Shteteve të Bashkuara, së bashku me Stephen J. Hadley, paraardhës i Bolton dhe me gjysmën e stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit.

Presidenti amerikan jo vetëm që erdhi në Tiranë, por në krah të Sali Berishës, në qershor të vitit 2007, atëherë kur askush në botë nuk e dinte ende se çfarë do të ndodhte me Kosovën, deklaroi se, 1) Kosova do të bëhej shtet i pavarur dhe 2) Shqipëria do të anëtarësohej në NATO. Pas 9 muajsh, Kosova, shpalli pavarësinë nën drejtimin e ShBA-ve, dhe Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO!

Ky është dallimi midis Sali Berishës dhe Edi Ramës; të parit i vjen Presidenti i ShBA-ve në shtëpi për të shpallur pavarësinë e Kosovës, të dytin e merr në telefon këshilltari i Presidentit për të ndarë Kosovën!