Deputetët Artan Grubi dhe Ivana Tufegxhiq u takuan me deputetin e Kuvendit Nacional të Republikës së Francës, z. Federik Petit

0

Sot, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi, dhe koordinatorja e Klubit të Rinisë, deputetja Ivana Tufexhiq realizuan takim pune me z. Federik Petit, deputet nga Kuvendi Nacional i Republikës së Francës, në shoqërim të ambasadorit të Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë, SH.T. z. Kristijan Timonie.

Deputeti i Kuvendit Nacional i Republikës së Francës z. Federik Petit e vërtetoi mbështetjen e sinqertë dhe të vazhdueshme të Republikës së Francës për aspiratat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, me ç’rast e potencoi mbështetjen franceze në kontekst të anëtarësimit tonë në BE dhe Aleancën e NATO-s. Franca në vijimësi vazhdon me kujdes t’i ndjek ngjarjet dhe mbetet fuqishëm e përkushtuar në integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë.

Petit theksoi se Republika e Francës është në anën e Maqedonisë, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet partive politike brenda në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë me rëndësi esenciale për shtetin. Ai e përshëndeti miratimin e amendamenteve kushtetuese, si hap i rëndësishëm në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe Aleancës së NATO-s.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi, falënderoi për mbështetjen e Francës për proceset tona eurointegruese, informoi për detyrat e përfunduara me sukses në fillim të vitit, me theks të veçantë në miratimin e amendamenteve kushtetuese, me të cilat u zbatua Marrëveshja e Prespës, me çka u tejkalua bllokada nga Republika e Greqisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave paraaderuese me BE-në. Në lidhje me realizimin e reformave në sundimin e së drejtës, të cilat i kërkon prej nesh BE-ja, njoftoi edhe për miratimin paradokohe të Ligjit për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, si dhe për më tepër ligje nga sfera e jurisprudencës, reformave në sektorin e sigurisë dhe administratën publike të cilat janë në fazën e fundit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Koordinatorja e Klubit të Rinisë, deputetja Ivana Tufegxhiq falënderoi për mbështetjen e përhershme që Republika e Francës e jep për Republikën e Maqedonisë, duke theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen në nivel më të lartë. Franca është partner afatgjatë duke mbështetur një numër të madh projektesh nga politikat e rinisë në Republikën e Maqedonisë dhe në këtë fushë falënderoi për marrëdhënien e tillë miqësore dhe shpreson se bashkëpunimi i tillë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

Në takim, u shkëmbyen edhe mendimet për ngjarjet aktuale në BE, Francë, Maqedoni dhe në rajon. Gjithashtu, ishte konstatuar se vendi ka edhe shumë obligime, të cilat do të dalin pas fillimit të negociatave për kapitujt, me ç’rast ishte theksuar se Franca është e gatshme të jap çdo lloj të mbështetjes.

Bashkëbiseduesit e shprehën mbështetjen për intensifikimin e gjithë bashkëpunimit të organizatave rinore që funksionojnë dhe që punojnë në fushën e promovimit të politikave të rinisë.