Kompanitë më të mëdha mes dy ekstremeve, si e parashikojnë 2019-ën

0

Si e presin ecurinë e aktivitetit sipërmarrjet kryesore në vend. Cilat janë parashikimet sipas sektorëve, nga optimizmi i industrisë minerare e asaj të metaleve te pesimizmi i fasonit, prodhuesve, ricikluesve dhe agroindustrisë.

Gazetarët e “Monitor, kanë intervistuar përfaqësues të kompanive dhe të shoqatave të biznesit

TAP, projekti drejt fundit, 95% e segmentit në tokë ka përfunduar

Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) është projekti më i madh i zbatuar ndonjëherë në Shqipëri, me një investim total prej rreth 1.5 miliardë eurosh për ndërtimin e seksionit shqiptar, i gjatë 215 km, duke përfshirë kostot e tubave, stacionin e kompresorëve dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.

Por, edhe këtij projekti po i vjen fundi. Burime zyrtare nga TAP thanë se punimet për ndërtimin e gazsjellësit janë drejt përfundimit dhe në vitin 2020, TAP do të transportojë sasinë e parë të gazit nga kufiri turko-grek, nëpërmjet Shqipërisë drejt Italisë.
Në Shqipëri ka përfunduar tërësisht pastrimi i gjurmës së gazsjellësit dhe rreth 99% e tubave janë salduar. Më shumë se 200 kilometra gazsjellës tashmë është nëntokë dhe toka, pasi i është kthyer të zotëve, po kultivohet përsëri, thanë burimet zyrtare. Pra me përafërsi, deri në fund të vitit 2018, mbi 95% e gjithë punimeve për seksionin tokësor të TAP në Shqipëri ka përfunduar.

1 / 1

Gjatë vitit 2018, TAP nisi edhe punimet për seksionin detar. Pika e daljes së TAP në detin Adriatik është pranë qytetit të Fierit dhe punimet po zhvillohen sipas kalendarit të paracaktuar, duke parë drejt perëndimit. Segmenti detar i gazsjellësit në detin Adriatik është i gjatë 105 km dhe rreth 15% e punimeve kanë përfunduar.

TAP pohon se është mbase kompania private me fondin më të madh kushtuar investimeve sociale dhe mjedisore. Rreth 14 milionë euro po investohen në Shqipëri nga TAP në përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve pranë gjurmës së gazsjellësit. “Nga përllogaritjet tona janë mbi 200’000 persona që po përfitojnë drejtpërdrejt nga investimet e TAP në përmirësimin e rrugëve, të infrastrukturës së shkollave dhe kopshteve, ujësjellësve, kanaleve kulluese dhe vaditëse, gjelbërim, turizëm, kulturë, etj.”, thanë burimet zyrtare të TAP.

 

Bankers, plane ambicioze për investime 150 mln USD, por gjithçka varet nga ecuria e bursës

Gjallërimi i aktivitetit të Bankers Petroleum, një ndër kompanitë më të mëdha në vend dhe eksportuesi kryesor, i cili shfrytëzon me koncesion burimin e naftës në Patos-Marinëz, u dha hov eksporteve në 2018-n, ndryshe nga vitet e kaluara, kur kompania kishte rezultuar me tkurrje. Sipas të dhënave zyrtare nga Bankers, për periudhën janar-nëntor 2018, janë eksportuar gjithsej 3.3 milionë fuçi naftë, me rritje 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2018, janë shpuar rreth 40 puse të reja, pothuajse dyfishi në krahasim me vitin 2017, me një investim prej rreth 90 milionë dollarësh dhe prodhim rreth 800 mijë tonësh naftë.

Dy janë arsyet kryesore të ecurisë në rritje. Së pari ndërprerja e aktivitetit të ARMO-s në dhjetor 2017 bëri që Bankers të eksportonte të gjithë sasinë e prodhuar. Së dyti, koniunktura më e favorshme e çmimeve në bursa, ku nafta arriti deri në 80 dollarë për fuçi në tetor, për të rënë më pas ndjeshëm muajt e fundit, duke e mbyllur 2018-n në nivelet e rreth 50 dollarëve për fuçi. Pikërisht, rënia e naftës në bursa mund të dekurajojë planet ambicioze që Bankers ka për këtë vit. Planet fillestare të kompanisë janë për shpimin e rreth 88 puseve të reja nafte në 2019-n dhe investime rreth 150 milionë dollarë. Por që të zbatohet ky plan kërkohet likuiditet i qëndrueshëm dhe me çmime të qëndrueshme të Brent-it mbi 75-80 dollarë për fuçi.

Përndryshe, kompania pohon se do të jetë e detyruar të ulë shpenzimet kapitale, për t’u përshtatur me situatën e çmimeve, duke mbajtur kështu një program të balancuar, bazuar në paranë në qarkullim që ka në dispozicion. Gjithsesi, burime nga Bankers pohojnë se kinezët e Geo Jade Petroleum, që e blenë Bankers në fund të 2016-s, u qëndrojnë planeve ambicioze për të rritur investimet dhe prodhimin e naftës.

Sektori i minierave, parashikohet rritje me 10% më 2019 nga investimet në pasurim

Sektori minerar do të rritet me 10% në vitin 2019, i nxitur nga investimet në sektorin e prodhimit dhe përpunimit, ndërsa çmimet në tregjet ndërkombëtare pritet të jenë të qëndrueshme, tha Mehmet Hasalami, drejtor i Programeve të Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në vitin 2019, pritet të investohen rreth 40 milionë euro, kryesisht në sektorin e përpunimit të kromit, ferronikelit dhe silikateve.
Këtë vit do të vihet në punë miniera e kromit në Vlahën të Kukësit, një investim 10 milionë euro nga kompania turke Ekin Maden Ticaret. Ndërsa kompania kanadeze Tirex Resources Ltd do të aktivizojë investimin në fabrikën e pasurimit të bakrit në Rehovë. Rehova ka katër depozitime të bakrit, të quajtura Bregu i Gështenjës, Rehova-Kanisqel, Çiflig dhe Dushku i Trashë, të cilat më parë menaxhoheshin nga shteti shqiptar. Investimi parashikon ngritjen e një fabrike për përpunimin e bakrit, që do të nxirret nga këto katër vendburime.

Numri i të punësuarve në sektorin minerar pritet të arrijë në 7 mijë persona në vitin 2019, nga 6700 aktualisht. Hasalami tha se industria minerare do të nxitet në vitin 2019 për shkak të uljes së rentës minerare në sektorin e përpunimit. Në vitin 2018 u investuan 25 milionë euro në sektorin minerar me ndërtimin e dy linjave të reja përpunimi nga AlbChrome në Bulqizë dhe Tete Albania në Spaç, që pritet të rrisin dukshëm vlerën e eksporteve në 2019. Investimi në uzinën e ferrokromit në Burrel është realizuar me teknologjinë e kohës, çka do të rrisë vlerën e mineralit në eksport edhe më 2019.

Falë këtij investimi, uzina do të prodhojë 36,000 tonë ferrokrom në vit, nga rreth 17,000 tonë/vit që ishte prodhimi me vetëm një furrë, produkt i cili shkon 100% në eksport. Kompania turke Tete Albania ka aktivizuar rreth 14 milionë euro në këtë investim të ri. Përveç bakrit, impianti është projektuar për të prodhuar edhe koncentratin e zinkut dhe plumbit. Rreth 90% të punimeve civile të fabrikës kanë përfunduar dhe janë instaluar më shumë se 5.2 milionë euro pajisje, që priten të vihen në funksion të plotë më 2019-n.

Aktualisht në Shqipëri janë 15 fabrika të përpunimit të kromit, pranë vendburimeve të kromit në zonat e Bulqizës, Batrës, Kalimashit, Burrelit, Librazhdit, Tropojës, në të cilat janë investuar tre vitet e fundit rreth 28 milionë euro. Shqipëria ka një nëntokë të pasur me minerale të kromit, bakrit dhe hekur-nivelit. Në këto 30 vite tranzicion, teknologjia e vjetruar dhe koniunktura e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, herë në favor dhe herë në disfavor, e ka lënë zhvillimin e sektorit nën potencial. Mineralet shqiptare janë eksportuar siç janë nxjerrë nga toka, për vite me radhë, pa mundur të kryejnë as përpunimet fillestare, duke humbur vlerën e shtuar në eksporte nga shitja në tregjet ndërkombëtare.

Albchrome do vijojë zgjerimin

Operatori më i madh në vend i prodhimit të kromit, AlbChrome do të vijojë të zgjerohet në 2019 në sektorin e prodhimit. Luan Saliaj, drejtor ekzekutiv në AlbChrome, tha se në 2019, kompania do të fokusohet në finalizimin e dy projekteve historike:

Së pari, pusi 9 në Bulqizë, funksionimi i të cilit do të sigurojë vënien në lëvizje të rezervave të thellësisë, dyfishimin e prodhimit të kromit, zgjatjen e jetës së minierës së Bulqizës.

Së dyti, traverbanku në Klos, i cili i jep siguri të plotë minierës në aspektin e ventilimit dhe të largimit të ujerave.

Së treti, rëndësi të veçantë do të zënë dhe investimet që lidhen me rritjen e sigurisë në punë, mekanizimin dhe automatizimin e minierës dhe uzinave, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe ruajtjen e mjedisit.

Për 2019, AlbChrome do të arrijë kapacitetet më të larta të prodhimit të ferrokromit të regjistruara deri më sot në historikun e ferrokromit shqiptar. Burimet zyrtare të Grupit Balfin, pjesë e të cilit është AlbChrome, thanë se duke nisur nga viti 2013, Grupi Balfin ka investuar te AlbChrome 43,5 milionë dollarë, nga të cilat 28,5 milionë në minierën e kromit në Bulqizë, 11 milionë në uzinën e ferrokromit në Burrel dhe 4 milionë në uzinën e ferrokromit në Elbasan. Investimet vijojnë dhe është parashikuar që deri në vitin 2021, ato të prekin kuotën 60 milionë dollarë. Kjo e tejkalon ndjeshëm vlerën e investimeve të parashikuar nga marrëveshja koncesionare.

Kurum, me plane pozitive për investime, 70% e prodhimit për eksport

Pasi shpalli falimentin në fillim të 2016-s për efekt ristrukturimi, sipërmarrjes së përpunimit të çelikut, Kurum International, iu desh të kalonte në një proces të vështirë ristrukturimi të aktivitetit dhe të detyrimeve e kredive që kishte ndaj të tretëve. Rezultatet u dukën që në vitin 2017, kur të ardhurat u rritën me 62%, kompania u rikthye me rezultat financiar pozitiv, duke treguar se ky proces, për herë të parë në Shqipëri, funksionoi.

Edhe në vitin 2018, ecuria ishte pozitive, ku u prodhuan 375 mijë tonë hekur ndërtimi, nga 325 mijë vitin e mëparshëm (rritje 15%).
Pritshmëritë mbeten të larta edhe për vitin 2019. “Kompania Kurum International pritet të vijojë me ritme të njëjta punën në të gjithë sektorët e saj, në sektorin e prodhimit të hekurit të ndërtimit, duke parashikuar prodhim pak më të lartë se 2018-a, duke synuar prodhimin e rreth 400 mijë tonë hekur ndërtimi”, tha Arif Shkalla, drejtor i financave në Kurum.

Sektori i energjisë pritet të vijojë me ritme të kënaqshme si në 2018, por gjithsesi do të jetë i varur nga situata hidrike. Qarkullimi vjetor pritet të rritet me rreth 5%. Shkalla shton se shoqëria e fillon vitin 2019 me një periudhë 2-mujore investimi, në fabrikën e petëzimit dhe në atë të çelikut. Konkretisht do të rinovohet furra e ngrohjes së prokateve të çelikut në fabrikën e petëzimit, duke bërë të mundur rritjen e kapacitetit prodhues dhe përmirësimin e eficencës së furrës në vijim. Investimet në fabrika kapin shifrën e rreth 1.5 milionë eurove. Ndërsa vijon edhe gjatë 2019-s investimi për rehabilitimin e plotë të HEC Ulëz, në të cilin është në përfundim zëvendësimi i dy agregateve prodhuese dhe në 2019 pritet të përfundojë i plotë zëvendësimi i dy agregateve të tjera.

Tregjet kryesore të Kurum mbeten vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi. “Ashtu si edhe në vitin 2018, shoqëria ka eksportuar rreth 70% të produkteve të saj, edhe në 2019 pritshmëria është që tregu kryesor i shoqërisë të mbetet eksporti”, thotë Shkalla. Ai shton se pritshmëria e tregut të brendshëm nuk rezulton të jetë më e mirë se 2018-a. Kujtojmë që tregu i brendshëm gjatë 2018-s ishte pak a shumë në të njëjtat volume si në 2017 dhe nuk pritet ndonjë rritje apo ndryshim i madh në vitin 2019”.

Call Center, shpresa te të mëdhatë

Prej dy vitesh, sektori i call center, një ndër punëdhënësit më të mëdhenj të të rinjve në vend, po vuan presionin e qeverisë italiane, e cila shtrëngoi rregullat e delokalizimit, me synim ruajtjen e vendeve në shtetin fqinj.

Agron Shehaj, një prej pionierëve të call center dhe themelues i Intercom Data Service (IDS), ndër më të mëdhatë në vend, thotë se ecuria e sektorit varet nga rritja e call center të mëdhenj ose në hyrjen në treg të ndonjë operatori të ri të madh. Gjithsesi, ai pret rritje për të mëdhenjtë. “Por është e vështirë të thuash nëse të shpejtë apo të ngadaltë. Mund të rriten shumë këtë vit ose vitin e ardhshëm”.

Operatorët e vegjël parashikohet ta kenë më të vështirë të rriten, apo të mbijetojnë në treg. “Ata ose marrin punë të vështira, pa fitim, ose me fitim shumë të ulët”, thotë Shehaj. Një tjetër segment që ka njohur zgjerim dy vitet e fundit, është ai i operatorëve të ashtuquajtur forex, që ofrojnë shërbime këshillimi për veprime me kursin e këmbimit ose me tituj spekulativë financiarë. Ai u zhvillua me shpejtësi pas krizës së call center, duke joshur me paga dhe bonuse të larta punonjësit e call center.

“Sigurisht nuk është një sektor me të cilin mund të mburremi dhe që nuk mund të vazhdojë të rritet pa fund. Është një mashtrim për të cilin mediat flasin pa fund në Itali”, thotë Shehaj. Viktimat humbasin shumë dhe iu vjen turp të denoncojnë. Ai shton se ka viktima dhe në Shqipëri, por kryesisht ata janë të huaj. Më herët, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave bëri të ditur se kompanitë e forex janë në radarin e saj, pasi dyshohen se bëjnë pastrim parash. Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka pohuar se pjesa më e madhe e tyre nuk janë të licencuara për shërbime financiare.

 

Fasoni, mbizotëron pesimizmi

Tekstilet dhe këpucët përbënin 40% të totalit të eksporteve shqiptare në periudhën janar-nëntor 2018, duke mbajtur edhe gjatë vitit të kaluar peshën kyçe. Për vitin 2019 situata nuk është edhe aq optimiste dhe drejtimi që do të ketë fasoni do të varet shumë si nga ambienti i jashtëm, ku bëjnë pjesë ekonomitë e partnerëve tregtarë, si dhe masat e qeverisë që duhet të shërbejnë si amortizatorë për goditjen që ka ardhur nga rënia e euros. Italia fqinjë, e cila prej 80% të eksporteve të këpucëve dhe rreth 70% të tekstileve nuk pritet të ketë një vit të mbarë në 2019-n, çka pritet të ndikojë dhe në kërkesën e partnerëve italianë.

Prej vitesh sektori nuk po arrin të diversifikohet dhe të shkëputet nga varësia nga tregu italian. Përtej deklaratave politike për paketa që mbështesin një sektor të rëndësishëm si fasoni, operatorët e tregut konfirmojnë se asgjë nuk ka ndodhur ndër vite dhe situata është bërë më e vështirë. Rritja e pa konsultuar e pagës minimale nga 24 në 26 mijë lekë, edhe pse nuk shihet si problem ekonomik prej tyre, konsiderohet si precedent aspak pozitiv, për aq kohë sa është marrë pa konsultim. Fasonistët shprehen se është e rëndësishme që të mos hartohen paketa me masa boshe, por fokusi të përqendrohet në pak pika dhe që kanë më shumë efekt në rritjen dhe zgjerimin e sektorit.

Forcimi i lekut përballë euros ka vënë në vështirësi prej kohësh eksportuesit, pjesë e të cilëve janë edhe ata që operojnë në sektorin fason. Pjesa më e madhe e tyre, i kanë të ardhurat në euro nga partnerët me të cilët kanë lidhur kontrata, ndërsa shpenzimet në lekë, çka ka rezultuar në një humbje të pastër.

Administratori i kompanisë së këpucëve FITAL, Skënder Pashaj, nënvizon se në raste të tilla ka nevojë për masa që amortizojnë goditjet. “Në fakt, duke pasur parasysh goditjen nga kursi apo rënien e konsumit, sigurisht që duhet të merren edhe masa për të amortizuar këtë pjesë. Vit pas viti, kushtet për sektorin kanë ardhur duke u vështirësuar, ndaj masat mbështetëse duhet të jenë një opsion që duhen marrë parasysh si amortizatorë”, nënvizon Pashaj.

2019, bujqësia në vendnumëro, agroturizmi në rritje

Bujqit prodhues kanë tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut. Sektori i bujqësisë nuk parashikohet të ketë zgjerim gjatë vitit 2019, për shkak të çmimeve më të larta të naftës dhe kostove të plehrave kimike, pohojnë fermerët. Brenda këtij sektori, zhvillimet pozitive priten në sektorin e agroturizmit, i cili do të vijojë rritjen edhe në 2019-n, prej rritjes së numrit të turistëve dhe një pakete lehtësuese që qeveria ka miratuar për sektorin, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2019.

Bujqit prodhues kanë tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut.
Stavri Gjini, i cili drejton Federatën e Fermerëve në Gradishtë të Lushnjës, pohon se prodhimet bujqësore do të jenë në të njëjtat kuota si këtë vit. Fitimet e fermave – sipas tij – janë në rënie prej çmimeve të larta të naftës dhe kostove të rënduara në inputet bujqësore.

Për të punuar një dynym tokë, harxhimet shkojnë në 5 mijë lekë të reja. Z. Gjini shton se sektori i prodhimit në bujqësi vuan nga mungesa e orientimit dhe gjetja e tregjeve. “Një dynym serë me plastmasë kushton 280 mijë lekë, kurse fitimet në optimalen e tyre, në 350 mijë lekë. Në kosto nuk kam përfshirë hakun e punës sime dhe të familjes”, – pohon Stavri, i cili tashmë është i lodhur, por pa një zgjidhje tjetër për të siguruar jetesën.

Viti 2019 – sipas tij – do të jetë edhe më i vështirë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Fermat në zonat prodhuese të vendit në Fier dhe në Lushnjë po vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të lartë dhe se të rinjtë nuk duan të punojnë në bujqësi. “Sektori kërkon mund, ndërsa fitimet janë të ulëta”, tha Gjini. Fitimet e bujqve janë përkeqësuar në vitet e fundit. Situata do të vijojë edhe për vitin 2019, për shkak se mungojnë totalisht subvencionet dhe, nga ana tjetër, kostot janë rritur – thekson z. Gjini.

Të njëjtin shqetësim ka edhe fermeri Rustem Xhoraj nga fshati Ruzhdie i Fierit. Ai tha se, shqetësimi kryesor për momentin është çmimi i lartë i naftës, pasi për bujqit ajo është lënda kryesore si për punimin e tokës, edhe për transportin e prodhimeve. Xhoraj, i cili zotëron një fermë me pemëtore me vreshta dhe ullinj, thotë se fitimet janë ulur së fundmi nga kostot e larta të inputeve edhe pse prodhimi më 2018 ka qenë i mbarë. Ai pohon se problemet e bujqësisë janë të shumta dhe komplekse, por më kryesorja është mungesa e orientimit dhe rregullimit të zinxhirit të tregut.

Fermerët mbjellin me intuitë dhe shpesh kjo zhgënjen, se tregu dhe moti sjellin surpriza. Vitin e kaluar, të gjithë fermerët që kultivuan domate, pësuan humbje të mëdha, ndërsa këtë verë nuk mbollën, nisur nga përvoja e vjetshme. Kjo ka trefishuar çmimin. Në pikat e pakicës në Tiranë, një kilogram domate fushe kushton 130 lekë nga 30 lekë që ishte një vit më parë në këtë kohë. Mungesa e prodhimit dhe avancimi i vrugut dhe krimbit kanë ulur ofertën për zarzavaten që konsumohet më shumë në treg në këtë periudhë.

Agroindustria, rritja do të vijojë edhe në vitin 2019

Ndryshe nga bujqit prodhues, sektori i agroindustrisë pritet të rritet në vitin 2019, nga rritja e kërkesës për shërbimin e njësive të agroturizmit për shkak të fluksit të turistëve të huaj dhe politikave lehtësuese fiskale që do të hyjnë në fuqi në vitin 2019. Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave”, modeli më përfaqësues i sektorit, tha se qeveria ka ndërmarrë përpjekje serioze për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të argoturizmit. Lehtësimi i TVSH-së nga 20 në 6% dhe masa të tjera për marketimin e produkteve vendase do të sigurojnë rritjen edhe për vitin në vijim, si në drejtim të fitimeve, edhe punësimit, shton z. Prenga.

Reduktimi i TVSH-së në 6% dhe certifikata e argoturizmit janë zhvillime pozitive në aspektin e politikave që janë ndërmarrë për sektorin.
Prenga tha se, kërkesa për prodhime vendi është më e lartë se vetë prodhimi, dhe shtoi se duhen më shumë përpjekje për stimulimin dhe përmirësimin e imazhit të prodhimeve vendase.

Turistët nga vendet perëndimore janë të prirë të kërkojnë prodhime vendase dhe ndërkohë që numri i tyre rritet, prodhimi duhet të rritet njësoj. Sipas tij, duhet të nxitet një politikë që Ministria e Bujqësisë pati ndërmarrë në lidhje me certifikimin e zahireve dhe nxitjen e prodhimit të tyre. Në këtë aspekt, ai tha se inspektimet e AKU nuk mund të bazohen në të njëjtat kritere higjieno-sanitare apo fiskale për një zonjë që bën gliko në Përmet me një industri konservash me 200 punëtorë. AKU momentalisht zbaton të njëjtat kritere, dhomë zhveshje për stafin, tualet, laborator analizash, teknolog, si për prodhuesit artizanal si për fabrikat.

Prenga tha se nuk ka ekonomi pa prodhim, duke vënë theksin se rritja prodhimit bujqësor duhet të vijojë me ritmet e rritjes së turizmit.
Me gjithë vështirësitë që ka agropërpunimi shqiptar, nuk është më problem tregu, por kostoja e lartë e prodhimit. Ai tha se zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe agroturizmit do të jetë i kushtëzuar nga çështja e pazgjidhur e pronësisë, copëzimi i lartë i tokës./Monitor