Shtatë shtetas të huaj të dyshuar për vjedhje në disa banka të Maqedonisë

0

Prokuroria Themelore Publike informon se ka sjellur urdhër për procedurë hetimore kundër shtatë personave, për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Siç njoftojnë nga Prokuroria, bëhet fjalë për një grup kriminal ndërkombëtar i përbërë nga katër shtetas të Ukrainës, një të Molldavisë, një të Kazakistanit dhe një të SHBA-ve.

“Të dyshuarit në Maqedoni kanë kryer 19 vjedhje të rënda nga depozitat e qytetarëve në filialet e “Shparkase Bank” dhe Bankës Qendrore Kooperative në Shkup. Ata kanë përvetësuar pasuri në vlerë prej 105.638.858 denarë, ar dhe mjete tjera të vlefshme”.

“Në periudhën prej muajit korrik deri nëntor 2017, të dyshuarit kanë marrë me qira kasaforta në banka të ndryshme në Shkup, me qëllim që të vlerësojnë rrethanat dhe sistemin e sigurisë në banka. Më pas kanë shfrytëzuar identitete të rrejshme dhe çdo ditë kanë vizituar filialet në të cilat kanë huazuar kasaforta”.

“Duke shfrytëzuar momentin ku nuk ka pasur persona zyrtarë, ata me mjete speciale kanë inçizuar brendësinë e çelësave të kasafortave dhe më pas kanë përpunuar çelësat adekuat për hapjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata më tej shtojnë se të dyshuarit paratë e vjedhur i kanë nxjerrë nga Maqedonia veçmas, nëpër kalime të ndryshme kufitare. Ky grup kriminel ka kryer vjedhje të njëjta edhe në vende tjera.

Nga Prokuroria thonë se deri tani njëri nga të dyshuarit është arrestuar në Letoni, ndërsa dy tjerë në Taxhikistan.