Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka sfiduar kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, duke paralajmëruar heqjen e taksës që qeveria e tij ka vënë ndaj mallrave nga Serbia, para nisjes së fazës që konsiderohet përfundimtare në bisedimet Kosovë-Serbi, në Bruksel. Shefi i ekzekutivit kosovar kishte deklaruar se taksa prej 100 për qind ndaj Serbisë do të hiqet vetëm kur shteti fqinj ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në natën e së dielës, Thaçi ka shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook një shkrim të gazetës prestigjioze The Washington Post, e cila ka raportuar sot se presidenti i Kosovës ka bërë një udhëtim ta paraportuar diplomatik në Berlin muajin e kaluar, ku u takua me ambasadorin e SHBA-së, Richard Grenell, një person i afërt me Trumpin.
Gazeta amerikane ka shkruar se Thaçi është zotua më pas se do të kthente kursin për tarifat e vendosura ndaj mallrave serbe.
“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The Washington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
“Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, është shprehur presidenti i vendit.