Portali “JO TABU”/ Zëri i të rinjve: Njihuni me Armand Braho

0

Gazetari i Redaksisë Strugalajm.org, ka dhënë një intervistë mbi “Vullnetarizmin” në portalin Shqiptar “Jo Tabu”.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:

 

Bisedoi: Blertina Koka

Armand Braho vazhdon studimet për juridik, ndërkohë që ushtron profesionin e gazetarit në disa media. I certifikuar si “Njohës i Politikave” në vitin 2017, Braho njihet gjithashtu edhe në shoqërinë civile si vullnetari model, aktivist i gjithanshëm, bartës dhe realizues i së mirës.

Vullnetarizmin ai e përkufizon si “një detyrim moral për të shërbyer në të mirë të komunitetit, ku si fryt të punës merr vetëm kënaqësi që diçka ndryshoi për mirë”. Me moton “Paraja nuk është gjithmonë gjithçka”, ai nuk ka nguruar asnjëherë që të japë kontributin e tij, si vullnetar, për komunitetin, duke hedhur pas krahëve çdo fjalë që i është thënë kundër “punës pa para”.

Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Armando Braho flet më shumë për përfshirjen e tij në shoqërinë civile si vullnetar, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.

Një prezantim për të gjithë ata që s’të njohin…

Jam Armand Braho, 20 vjeç, student pranë Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, në fakultetin Juridik, certifikuar “Njohës i Politikave” në vitin 2017 në Akademinë Profesionale Elita. Gjithashtu ushtroj profesionin e gazetarit në disa media.

Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?

Të jesh vullnetar, së pari kuptohet që bën një punë në të mirë të masës, me vetëdëshirë, në këmbim të vetëkënaqësisë dhe në mungesë të shpërblimit për punën e kryer.
Vullnetarizmi perceptohet si një dëshirë, pa kurrfarë detyrimi, për të shërbyer në të mirë të komunitetit apo qoftë në të mirë të një grupi interesash.
Vullnetari është një person i cili nuk kërkon asnjë të mirë materiale apo financiare për shërbimet e kryera, në kuadër të “vullnetarizmit”! Disa miq të mijtë e përkufizojnë me dy fjalë “punë pa para”!

Të jesh vullnetar…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?

Siç e përmenda dhe më lart, të jesh vullnetar është të marrësh tepër kënaqësi për një punë që bën në të mirë të të gjithëve.
Personalisht shpeshherë kam qenë vullnetar, dhe në përfundim të detyrimit moral për të shërbyer dhe për të kryer një punë. Fryt i punës ka qenë kënaqësia që diçka ndryshoi nga vullnetarizmi dhe diçka u rregullua. Kuptohet se vullnetar nuk do të thotë të qëndrosh pa bërë gjë, edhe pse shpeshherë vullnetarët bëjnë punë jo të lehta.

Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetar: vullnetarizmi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…

Dëshira për të ndryshuar diçka, që rrjedhimisht shumë si unë mund të bëjnë ndryshime të mëdha, më ka inspiruar mua që të jem vullnetar.

Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetar? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?

Shpërblimi më i madh, për çdo vullnetar, është kur dikush thotë BRAVO për punën e kryer. Dhe realisht, si eksperiencë vullnetarizmi është diçka tepër e bukur, që përfshin çdo gjë, është kontribut për një të ardhme më të mirë të të gjithëve.
I vetmi aspekt që nuk më ka pëlqyer është përçmimi që mund të bëjë dikush duke thënë: “Ti je kot që bën punë pa para”, por çdokush duhet të dijë që paraja nuk është gjithmonë gjithçka…

Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?

Sot Shqipëria ka shumë organizata të cilat nxisin të rinjtë në pjesëmarrje për vullnetarizëm dhe disi ato ia kanë arritur. Besoj nga marketingu i mirë i tyre ka pasur disi përfshirje, por është ende për t’u bërë në këtë drejtim.

A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.

Po, besoj se të rinjtë duhet të jenë vullnetarë, sepse në radhë të parë ata duke qenë vullnetar kontribuojnë për veten e tyre, për familjen dhe për vendin ku ata jetojnë. Nuk është turp të bësh gjëra të bukura!

Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?

Organizatave realisht do i këshilloja që ta mbajnë gjithmonë vullnetarizmin në “korrent” dhe mos “kujtohen” në momentet e fundit apo dhe në raste të veçanta për të afruar të rinjtë. Nuk është zgjidhje që vetëm në një rast të lobojnë për vullnetarizëm, por ato çdo ditë duhet t’ia shpjegojnë brezit tonë çfarë dobish ka që të jesh vullnetar./ JoTabu.al