Ahmeti: Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun

0

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti një pjesë të fjalimit të tij, ia kushtoi edhe nevojës për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajoi palët që një gjë të tillë ta bëjnë sa më parë.

“Rajoni ka nevojë për më shumë paqe, stabilitet, siguri, mirëqenie e ardhmëri. Në vrull e sipër janë procese të rëndësishme që e forcojnë, kontribuojnë në paqen e stabilitetit rajonal. Të gjithë e dinë që akoma ka mbetur një vrimë e zezë pa u rregulluar problemi Kosovë-Serbi”, tha Ahmeti duke shtuar se ne i inkurajojmë palët që të gjejnë energji dhe të arrijnë një zgjidhje të dobishme.

Ai theksoi se pengesa e vetme për zgjidhjen e këtij problem është Serbia.

Nga ana tjetër, Ahmeti i bëri thirrje opozitës maqedonase dhe asaj greke që të kyçen në pjesën përfundimtare të procesit për zbatimin e marrëveshjes së Prespës.

Lideri i BDI-së theksoi se më 9 janar fillon ndërtimi i historisë më të re, ndërsa opozitat e dy vendeve duhet të jenë pjesë e këtyre vendimeve.

“Ndaj i bëjmë thirrje opozitës në të dyja anët që të kyçen në lojën vendimtare për suksesin përfundimtar. Më 9 janar, fillon seanca për ndërtimin e historisë më të re të këtij shteti, shtet i organizuar dhe i pranuar në të gjitha strukturat, NATO, BE, në miqësi e harmoni me të gjitha vendet e rajonit”, deklaroi Ahmeti.

Partia opozitare VMRO-DPMNE tashmë disa ditë ka njoftuar se tërhiqet nga faza përfundimtare e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për shkak të mungesës së procesit inkluziv. Nga ana tjetër, opozita greke ka njoftuar se asnjëherë nuk do ta mbështet ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ndryshimet kushtetuese janë në fazën e propozimit të amendamenteve ndaj propozim-amendamenteve të Qeverisë. Afati përfundimtarë është 31 dhjetori. Seanca plenare për miratimin e tyre është thirrur më 9 janar, ndërsa Kuvendi pret që procesi të përmbyllet më 15 janar.