Arrestimi i bujshëm i biznesmenit, nga qelia përfundon në spital

0

Nga dhomat e paraburgimit, biznesmeni Bardhok Planaj transferohet  në reaminacionin e Shkodrës.

Bardhok Pllanaj i arrestuar dy ditë më parë është dërguar në spitalin e Shkodrës pas probleme shëndetësore.

shkresa-bardhok

Këtë të hënë, policia e Shkodrës, njoftoi se, pas një hetimi disamujor ka vënë në pranga 44-vjeçarin Bardhok Planaj, një emër ky i njohur jo vetëm në qytetin verilindor. Arrestimi i tij ka ardhur për shkak se ka ndërtuar një pallat me 10 kate pa leje.

Përveç kësaj, ndërtesa me vlerë 2 milionë euro dyshohet se është financuar nga të ardhura që mund të kenë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ka kryer ky shtetas më parë.

Lëshimi i urdhrit të arrestimit të tij nga Gjykata e Shkodrës është bërë për tri veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Ndërtim pa leje”.

Prokuroria në bashkëpunim me Policinë prej disa muajsh kishin nisur hetime për 44-vjeçarin, i cili tri vite më parë ishte pjesë dhe e debateve politike në vend, pasi i shpëtoi arrestimit në vitin 2015 duke u fshehur në makinën e ish-deputetit, Mark Frroku. Përveç kësaj, në fund të vitit 2014 biznesmeni u shpall në kërkim për sasinë rekord të lëndës narkotike prej 800 kg kanabis sativa të kapur në Lagunën e Vilunit në Lezhë, që kishte si destinacion Malin e Zi.

PALLATI

Edhe pse pa lejen përkatëse të autoriteteve, Bardhok Planaj ka ndërtuar një pallat gjigant me 10 kate në qytetin e Shkodrës. Ndërtesa gjendet në lagjen “Rus” dhe kap një vlerë prej 2 milionë eurosh. Pallati është vendosur në sekuestro, pasi përveçse është ndërtim i paligjshëm, dyshohet se është ndërtuar me para që kanë ardhur nga trafiku u drogës. Ndërtimi është kryer nga firma e Planajt “Old-B”, të cilën e pezulloi përkohësisht pasi u shpall në kërkim dhe e riaktivizoi disa muaj më pas, kur arriti të dilte si person i papërfshirë në drogën e kapur në Lagunën e Vilunit.

“Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas një hetimi disamujor bënë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal të shtetasit Bardhok Planaj, i cili prej disa vitesh kishte filluar ndërtimin për qëllime përfitimi të një objekti 10-katësh pa u pajisur me lejet përkatëse të lëshuara nga organet kompetente”, bëhet e ditur nga Policia e Shkodrës. Sipas Policisë, gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se ky objekt është financuar nga të ardhura që dyshohet që kanë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ka kryer biznesmeni 44-vjeçar dhe për këtë arsye është vendosur dhe masa e sigurimit pasuror me vendim gjykate “Sekuestro preventive”, në bazë të Urdhrit të Ekzekutimit Vendimit Penal nr.1169, datë 29.11.2018, për objektin 10-katësh që ndodhet në qytetin e Shkodrës në pronësi të tij, objekt i cili kap vlerën 2 milionë euro.

DROGA

Bardhok Planaj njihet si biznesmen me lidhje të forta politike. Ai dyshohet se është marrë me aktivitetin e trafikut të drogës drejt Italisë dhe Malit të Zi. Grupi tij, ku dyshohet se janë përfshirë dhe politikanë, ka arritur që të trafikojë me dhjetëra ton kanabis drejt Italisë. Planaj u shpall në kërkim në tetor të vitit 2014. Më 30 shtator të atij viti, “Guardia di Finanza” ndoqi një skaf ku trafikantët për t’i shpëtuar ndjekjes hodhën në det 8 çanta hashashi, me peshë prej 210 kilogramësh.

Ndërsa në operacionin e dytë u arrit të sekuestroheshin 15 çanta me 594 kilogramë. Në pranga ranë me dhjetëra persona, ndërsa rezultatet e operacionit u publikuan 10 ditë më vonë nga ana e Policisë së Shtetit. Pas shpalljes në kërkim më 1 tetor 2014, Planaj dyshohet se i ka shpëtuar arrestimit nga ana e Policisë duke lëvizur me automjetin e Mark Frrokut, që në atë kohë ishte deputet. 44-vjeçari ka lëvizur me makinën e Frrokut nga një lokal në Kombinat për të shkuar në Laprakë dhe më pas i ka humbur vëzhgimit të Policisë.

I fshehur në makinën e deputetit

Pati dyshime se në tetor të vitit të shkuar, pasi policia ndërhyri për ta arrestuar, ajo nuk u lejua pasi Pllanaj udhëtonte me makinën e Mark Frrokut, në atë kohë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Deputeti Frroku ka mohuar të ketë ndihmuar Pllanajn t’i shmangej arrestimit, por është raportuar se, në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut, shkruhet se i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit.