Samiti i G20 dhe sfidat e së ardhmes

0

Samiti i G20 i zhvilluar në Buenos Aires, në fundjavën që sapo kaloi, i zhvilloi punimet në një periudhë të rëndësishme, ndoshta të pakrahasueshme me ndonjë tjetër, të paktën në tre dhjetëvjeçarët e fundit. Siguria, optimizmi dhe qëndrueshmëria (të paktën në dukje) relative, që karakterizonin sistemin ekonomik dhe politik ndërkombëtar të periudhës përpara krizës ekonomike financiare globale të 2008-s, duken si një ëndërr e largët. Kjo krizë nuk mund të mos linte gjurmët e veta në jetën politike, ekonomike, financiare dhe sociale të vendeve dhe rajoneve të tëra, ndër më të zhvilluarit në botën e sotme moderne. Gjurmë këto dhe pasoja që bota po i përjeton edhe sot dhe me sa duket edhe në vitet në vazhdim. Një botë që po përballet me probleme që lidhen me zhvillimet e pabarabarta teknologjike, me diferencën e madhe midis rajoneve të pasura dhe atyre të varfra, me lëvizjet e popullsisë nga rajonet e pazhvilluara në ato më të zhvilluara, me rritjen dhe fuqizimin e politikave populiste, pse jo dhe ekstremiste, si dhe me vendosjen në dyshim të vlerave mbi të cilat demokracia liberale dhe sistemi politik dhe ekonomik ndërkombëtar janë themeluar. Të gjitha këto problematika do të duhet, herët a vonë, të jenë pjesë jo vetëm e diskutimeve në forume dhe samite ndërkombëtare, por ajo që është më shumë e rëndësishme, edhe e vendimmarrjes në nivel rajonal dhe global.

 

 

Edhe ky Samit i zhvilluar në Buenos Aires tregoi përsëri sfidat, me të cilat përballet sistemi ekonomik dhe politik ndërkombëtar si dhe vështirësitë që ekzistojnë në arritjen e konsensusit të përgjithshëm mbi tema madhore, të ndryshme. Ndoshta bisedimet ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës dhe zotimi i dy liderëve të tyre për të pezulluar “luftën tregtare” për tre muaj (tarifat tregtare nuk do të ndryshojnë) dhe për të intensifikuar bisedimet për të zgjidhur kontradiktat ndërmjet tyre ishte një sinjal pozitiv, por vështirësitë dhe ngërçet në marrëdhëniet midis shteteve të veçanta, por edhe ato në nivel multilateral vazhdojnë të ekzistojnë.

Siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme, edhe gjatë kësaj fundjave, arritja e një deklarate të përbashkët nuk ishte një gjë e lehtë. Në deklaratën, që u nënshkrua në përfundim të Samitit, u theksua se qëllimi i tij ishte përpjekja për të “ndërtuar konsensus për një zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm nëpërmjet një axhende që është e fokusuar te njeriu, gjithëpërfshirëse dhe vizionare”. Pra, qëllimi, siç është e kuptueshme, është përpjekja për të ndërtuar konsensus nëpërmjet diskutimit, debatit dhe negociatave. Edhe vetë ky fakt, në një periudhë paqëndrueshmërie, është një tregues i rëndësishëm dhe pozitiv. Pra, zotimi i vendeve të G20-s për t’u fokusuar te dialogu, negociatat, politikat e përbashkëta dhe jo te veprimet unilaterale është për t’u përshëndetur.

Ndërmjet çështjeve që u diskutuan gjatë punimeve, ashtu siç përmendet edhe në deklaratën përfundimtare, ishin e ardhmja e punësimit, infrastruktura për zhvillimin, një e ardhme e qëndrueshme për ushqimin dhe një strategji me bazë gjinore. Çështje të rëndësishme, por sigurisht jo më të rëndësishmet që sot shqetësojnë sistemin ekonomik dhe politik global. Sidoqoftë, vendet e G20-s vazhdojnë t’i qëndrojnë angazhimit të tyre për të punuar bashkërisht për “të përmirësuar një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe të aftë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive ndryshimeve që bota po pëson”. Këto ndryshime sigurisht që lidhen me ndikimet që teknologjia po sjell në sistemin ekonomik ndërkombëtar dhe me sfidat me të cilat po përballen dhe do të vazhdojnë të përballen në të ardhmen të gjitha vendet në të gjitha rajonet e botës. Ndryshime të tilla do ta shndërrojnë në një nevojë dhe domosdoshmëri bashkëpunimin ndërkombëtar sepse “…bashkëpunimi ndërkombëtar do të ndihmojë që benefitet e transformimit teknologjik të ndahen gjerësisht”.

Deklarata përfundimtare vendos theksin të angazhimi për të promovuar “një punësim dinjitoz” nëpërmjet zbatimit të politikave si dhe aksesit në një arsim cilësor, faktorë këta që do të përmirësojnë kushtet e punës për të gjithë të punësuarit, pa diskriminuar personat në bazë të gjinisë apo të aftësive të veçanta në një treg pune gjithmonë e më dinamik. Një angazhim tjetër i vendeve të G20-s ka të bëjë me sigurinë ushqimore, e cila konsiderohet si thelbësore për të siguruar “një botë pa uri dhe pa forma të tjera të të kequshqyerit”. Çështje të tjera të përmendura në deklaratë janë nevoja për të promovuar barazinë gjinore, inkurajimi i veprimtarisë së Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë, nevoja për veprime të përbashkëta për të përballuar çështjet e emigrantëve, nevoja për një sistem financiar ndërkombëtar të qëndrueshëm si dhe nevoja për një luftë të vazhdueshme ndaj korrupsionit.

Në lidhje me një ndër pikat e rëndësishme të deklaratës, mund të përmendim edhe nevojën për një funksionim më të mirë të sistemit tregtar ndërkombëtar si dhe për një reformim të nevojshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë (OBT), e cila, sipas deklaratës përfundimtare, ka nevojë për të “përmirësuar funksionimin e saj”. Në deklaratë nuk mungon referenca që lidhet me rëndësinë e ndryshimeve klimaterike si dhe angazhimin për të respektuar Marrëveshjen e Parisit, me përjashtim të SHBA-ve, të cilat i përmbahen vendimit të tyre për t’u tërhequr nga kjo marrëveshje.

Megjithëse asnjë samit ndërkombëtar i vetëm nuk mund të sjellë ndryshime rrënjësore në arenën ndërkombëtare, përsëri rëndësia e tyre nuk mund të vihet në dyshim. Samite të tilla janë thelbësore qoftë për të koordinuar politikat, qoftë për të përgatitur terrenin për marrëveshje të mundshme bilaterale dhe multilaterale në të ardhmen, por pse jo edhe për të treguar vështirësitë me të cilat vendet do të përballen në arritjen e këtyre marrëveshjeve. Dhe ky Samit i G20-s, u shërbeu në masa të ndryshme të tria këtyre qëllimeve.