Zgjerohet debati për skandalin e përgjimeve në Maqedoni

0

Skandali me përgjimet e paligjshme vazhdon të përhapet edhe më tej. Përveç prokurorëve janë përgjuar edhe gjykatësit. Kryeministri Zoran Zaev tha se aparate përgjimi të ngjashme me ato që ishin vendosur në Prokurorinë Themelore Publike ka pas të vendosura edhe në Gjykatën Themelore Shkup 1.

“E di se një sistem të tillë ka pas të vendosur edhe në Gjykatën Themelore Shkup 1 që në vitin e largët 2016. Ndonjëherë sistemi është përdorur, ndonjëherë jo. Hetimet do të tregojnë se kush I ka përdorur përgjimet , kush i ka keqpërdorur. Kjo është edhe një dëshmi se sa ka qenë e shkatërruar Republika e Maqedonisë. Është një çështje shumë serioze dhe nuk ka lojë me të. Bëhet fjalë për biseda private”.

Kryeministri pret që organet hetuese do t’i gjejnë të gjitha përgjigjet e nevojshme në lidhje me këtë çështje.

Ndërkaq, prokuroria themelore publike e Maqedonisë informoi se po heton rastin e përgjimeve me seriozitet të madh, ndërkaq, ka indikacione që përgjimet e paligjshme në këtë institucion të kenë nisur që në vitin 2013.

Prokuroria Themelore Publike po e heton rastin me seriozitet dhe kujdes të madh. Po punohet në verifikimin e përgjegjësisë eventuale penale. Procedura është hapur menjëherë pas informacionit që bisedat telefonike që janë kryer nëpërmjet linjës fikse të telefonisë në objektin e prokurorisë publike, janë incizuar. Edhe pse të dhënat e gjetura në bisedat e incizuara në dy harddisqet e centralit telefonit datojnë nga 30 shtatori i vitit 2016, ekzistojnë indikacione që tregojnë se incizimi ka zgjatur qysh nga blerja dhe instalimi i pajisjeve, gjegjësisht nga viti 2013. Në atë drejtim po verifikohet se a janë fshirë bisedat e incizuara apo janë transferuar në ndonjë pajisje tjetër”.

Sipas hetimeve të prokurorisë incizimi është bërë në dy hard disqe nga centrali i telefonisë në objektin e ri të Prokurorisë publike. Në kuadër të procedurës, është duke u hetuar edhe dokumentacioni i tenderit për furnizimin me pajisje dhe autorizimi për përdorimin e tyre. Prokuroria publike po ashtu është duke punuar në hetimin e indikacioneve që tregojnë se sistem i njëjtë apo i ngjashëm eshtë përdorur edhe në institucionet tjera të gjyqësorit.

Një ditë më parë kryeprokurori, Lubomir Joveski I informoi gazetarët për skandalin e përgjimeve në Këtë institucion të lartë të drejtësisë.