Me Ivanovin president nuk do të ketë ambasadorë shqiptarë nga Maqedonia

0

Deri në maj të vitit 2019, kur duhet Maqedonia të mbajë zgjedhje presidenciale dhe të kemi president të ri, ambasadorët shqiptarë të propozuar nuk do të munden të emërohen, për shkak se presidenti aktual Gjorge Ivanov nuk i dekreton.

Sot nëpër media qarkulloi emri i Marigona Markut se është emëruar ambasadore e re e Maqedonisë në SHBA. Lajmi është i pavërtetë pasi që Marku është vetëm përkohësisht në atë pozitë me kompetenca të kufizuara. Ambasadorit të Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vasko Naumovski i ka skaduar mandati në nëntor të këtij viti, për shkak të pozitës më të lartë në Ambasadë, Marigona Marku me automatizëm e ka marrë detyrën e përkohshme (u.d.) të ambasadorit derisa të zgjedhet ambasador i ri. Pra sipas kësaj, nuk është zgjedhur për ambasadore, por vetëm përkohësisht do të qëndrojë në këtë post, për të cilin vendos presidenti dhe Qeveria. “Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, pas largimit të Naumovskit, derisa të zgjedhet ambasador i ri me automatizëm e ka marrë detyrën Marku”, thotë për Portalb, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Elizabeta Presilska.

E pyetur se kur pritet të zgjedhet ambasadori i ri i Maqedonisë në SHBA, e njëjta tha se nuk kemi informata për diçka të tillë, por po bisedohet për këtë çështje. Për zgjedhjet e ambasadorëve duhet vendimi i presidentit Ivanov i cili i ka bllokuar procedurat për emërimin e ambasadorëve shqiptarë të propozuar nga BDI-ja, pasi që kjo e fundit nuk e njeh si president. Për këtë, emërimin e ambasadorëve shqiptarë do të duhet që ta presim pasi të largohet Ivanovi, në maj të vitit 2019.