Mbi dy mijë persona në Maqedoni janë pa asnjë dokument identifikimi

0

Mbi 2 000 qytetarët të Maqedonisë, ndonëse jozyrtarisht, nuk kanë shtetësi dhe nuk janë të evidentuar fare në sistemin shtetëror. Nga Qeveria premtojnë se në katër muajt e ardhshëm do të evidentohen të gjithë personat që deri tani nuk kanë qenë të regjistruar. Gjithashtu janë formuar ekipe mobile për gjetjen dhe regjistrimin e njerëzve që jetojnë në Maqedoni por nuk janë të evidentuar në asnjë institucion. Kryeministri Zaev tha se nuk mund të ketë shoqëri për të gjithë nëse dikush nuk i gëzon të drejtat dhe kujdesin e shtetit për të.

“Koncepti një shoqëri për të gjithë asnjëherë nuk do të realizohet në përgjithësi përderisa qoftë edhe një qytetarë i vendit tonë mbetet jashtë kujdesit institucional, kjo vlen për të gjithë qytetarët tanë pa përjashtime”, deklaroi Zoran Zaev.

Ministrja e Punës Sociale Milla Carkovska, thotë se për t’i regjistruar këto qytetarë , në dispozicion kanë dy mundësi, përmes ndryshimit të Ligjit për evidentim amë ose Ligjit për përgjegjësi jashtë kontraktore, i cili në Parlament duhet të kalojë me 2/3 e votave.

“Po pres nga akademikët, në këtë rast nga Profesori Borçe Davidkovski që të na i shpjegojë të dyja mënyrat, njëra është përmes Ligjit të Procedurës Administrative ndërsa e dyta që e identifikuam është Ligji jashtë Procedurës Administrative, ndërsa tani do të zgjedhim se në cilën mënyrë, kjo Qeveri deri në tremujorin e parë të vitit 2019 këto persona do i shënojë dhe të njëjtit do i shfrytëzojnë të drejtat e qytetarëve”, deklaroi Mila Carovska, Ministre e Punëve dhe Politikave Sociale.

Ndonëse qeveria pretendon se numri i personave të pa evidentuar është 650 persona, ndryshe mendon profesori universitar Borçe Davidkovski.

“Për fat të keq, tek na jetojnë njerëz të paevidentuar, nga ta të evidentuar janë vetëm 650, mirë që u bë kjo evidencë por ky numër fsheh një numër tjetër. Përafërsisht mendoj se kjo shifër luhatet nga 1500 deri në 2000 bashkëqytetarë tanë jetojnë këtu dhe nuk mund ta shfrytëzojnë asnjë të drejtë të tyre”, deklaroi për Alsat-M, Borçe Davidkovski – Profesor Universitar.

Në këto qendra rajonale mund të paraqiten edhe vetë qytetarët të cilët ende nuk e gëzojnë të drejtën e të qenit “qytetarë i Maqedonisë”. Ndërkaq në komunat me shumicë shqiptare, ka numër të madh të njerëzve të ardhur nga Kosova të cilët pavarësisht plotësimit të dokumentacionit, ende nuk kanë marrë shtetësi.