Kolumnë: A do të lindë shpresa

0

A është e drejtë dhe a është e ndershme që brezave të cilët po vijnë t’ju lëmë në trashëgimi grindjen dhe përplasjen, mosdurimin dhe urrejtjen, mostolerancën dhe pozicionimin  në istikamet etnike, politike, religjioze , kulturore e civilizuese?

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Me më pakë a me më shumë sukses, drejtëpërsëdrejti apo në mënyrë aluzive e simbolike, në vitet që i lamë pas jam përpjekur të flas për lindjen e një fuqie destruktive, per një forcë  shkatërimtare që po vie nga njerëzit e që po derdhet mbi njerëz të tjerë. E kam bërë një gjë të këtillë nga bindja se idetë, ideologjitë dhe utopitë totalitariste të cilat e thyejnë kurizin dhe dinjitetin njerëzor duke e nënshtruar me teror politik që prezentohet si e vërtetë absolute-janë një hiç dhe detyrimisht përfundojnë në plehërat e historisë së njerëzimit.

Sot, mjerisht, edhe shoqëria jonë, sikundër edhe pjesa më e madhe e shoqërive në Ballkan,duke mos qenë vigjilente dhe e gatshme të kundërshtojë sharmin vetëvrasës të grindjeve e mashtrimeve etnonacionaliste, mitomanisë dhe tensioneve ndërfetare, dukshëm është e përfshirë nga virusi i përçarjeve që po gjenerojnë të tjera përçarje. Dhe, për të qenë e keqja  trësisht e rumbullaksuar , të gjithë po pajtohen se jeta e njeriut të këtushëm është shndëruar në xhehenem të vërtetë, por ja që askush nuk po e pranon autorësinë . Duke qenë jetim, faji po i veshet përherë tjetrit, përherë kundërshtarit politik, përherë pjesëtarëve të kombit tjetër, përherë besimtarëve të fesë tjetër.

Ndërkohë, kategoritë e rrezikuara ekonomike e sociale po shtohen, vorbulla e shovenizmit po gllabëron djathtas e majtas, reprezentët politik po vazhdojnë me dyluftimet e pakuptimta, opinioni po fragmentohet si asnjëherë me ndihmën e pakursyer të mediave që nuk po e fshehin determinimin  politik dhe etnik, mendjet tona po robërohen edhe më tej nga dyshimet e vazhdueshme në qëllimet e e tjetrit. Katrahura morale, politike dhe intelektuale, si edhe rezervat dhe kundërshtitë të cilave vetë djalli po tenton t’ju vejë prefikse fetare, po e zvetënojnë deri në pakuptimësi idenë e integrimit dhe krijimin e një atmosfere nga e cila do duhej të lindë shpresa

Përafërsisht i këtillë do ishte përshkrimi i shkurtër i shoqërisë në të  cilën ne po lindim, po jetojmë e po vdesim. E në një shoqëri të këtillë në të cilën, t’a zëmë, po politizohen edhe rastet skajshmërisht  tragjike që po i shkaktojnë qentë endacakë, u pajtuam ne ose jo, gishti duhet drejtuar edhe nga inteligjenca.Pra, nga njerëzit që do duhej të dijnë të mendojnë , por që në të shumtën e rasteve janë strukur  sikurse edhe e tërë shoqëria në skutat e ngrohta partiake, të mbuluar me jorganin e inercionit që prodhon mendjengushtësi në kohët kur aq shumë po na nevoiten mendje të ndritura e të hapura.

Tani, lindin pyetjet:A mundë të quhen dashuri për popullin huqjet flagrante që për tridhjetë vjetë nuk arritën të sjellin stabilizim, siguri, rehati e prosperitet ekonomik ?  A është e drejtë dhe a është e ndershme që brezave të cilët po vijnë t’ju lëmë në trashëgimi grindjen dhe përplasjen, mosdurimin dhe urrejtjen, mostolerancën dhe pozicionimin në istikamet etnike, politike, religjioze , kulturore e civilizuese?

Sidoqoftë, njerëzit vdesin, shtatoret e përmendoret rrënohen nga koha ose nga situata të reja që mundë të  paraqiten në shoqëri”, mbijeton vetëm mendimi i njeriut që synon të lë gjurmë, mendimi nga i cili frymëzohen gjenerata , mendimi që bëhet pikënisje për ndryshime dhe veprime të cilat sjellin të mira të përgjithshme, jo parciale dhe jo selektive.

Po, të atillë njerëz kërkon kjo kohë, të atillë intelektualë që do kenë guximin t’ua tregojnë vendin konvertitëve që herë paraqiten si apologjetë të totalitarizmit e herë të demokracisë, varësisht nga frynë era dhe prej nga vie shushuritja e banknotave. Na nevoiten njerëz që nuk do instrumentalizohen për shkak të një posti duke haruar premtimet që i kanë bërë. Na nevoiten njerëz, intelektualë që mendojnë drejtë dhe veprojnë drejtë sepse, të mos harojmë, kriza që ka përfshirë këtë shoqëri dhe këtë shtet gjithsesi buron edhe nga kriza e mendimit kritik të intelektualëve.

Dhe, na nevoitet më shumë besim, përforcim i bindjes se çdo lëvdëratë dhe çdo falenderim i takon Krijuesit. Ai të cilit Zoti ia ndriçon rrugën e drejtë, nuk mundë të shmanget kursesi nga ajo, por nëse nuk ia ndriçon shtigjet të cilave do ecë, askush në këtë botë nuk mund t’a orientojë.