Liberalizimi i vizave është çështje politike më shumë se sa teknike

0

Çështja e liberalizimit të vizave, për më tepër se temë politike ajo mbetet një çështje politike, fatin e së cilës e vendosin shtetet e Bashkimin Evropian veç e veç.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e integrimeve evropiane, Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Taulant Kryeziu nga Instituti Epik.

Rexha ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike, dhe sipas saj, nëse merret parasysh vetëm këto kritere atëherë liberalizimi i vizave do të duhej të ishte tashmë një realitet.

Sipas saj, problemet të cilat tash po spikasin janë me aspektet politike të procesit.

“Kjo e fundit ballafaqohet me probleme të shumta siç është rritja e euroskepticizmit dhe migrimit, problem te shumta me vlera kryesore të BE-së; si sundimi i ligjit në Poloni dhe Hungari, probleme këto të cilat edhe i bëjnë vendet e BE-së të jenë më skeptike në miratimin e liberalizmit te vizave për Kosovën”, ka shtuar Rexha.

Ajo ka sqaruar për Telegrafin se liberalizimi i vizave në pikën ku është ka qasje ndërshtetërore, që do të thotë se janë shtetet që do të vendosin veç e veç.

“Qeveria e Kosovës do duhet të fokusohet në lobim direkt te krerët e shteteve të BE-së dhe tek ministrat e brendshëm të këtyre shteteve. Në anën tjetër, fatkeqësisht ne nuk kemi parë që kjo të ketë ndodhur kohën e fundit, dhe duket se krerët e shtetit tek ne ndihen komfor duke u nisur nga ajo se ne kemi plotësuar kriteret teknike të këtij procesi”, ka theksuar Rexha.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do duhet të fokusohet në lobim direkt te krerët e shteteve të BE-së dhe tek ministrat e brendshëm të këtyre shteteve.

Në anën tjetër, Rexha ka theksuar krerët e institucionet po ndihen komfor se janë plotësuar kriteret dhe nuk kanë ndërmarrë iniciativa intensive lobuese.

“Mendoj që është shumë me rëndësi që të ketë koordinim ndërinstitucionalë dhe lobim intensiv tek krerët e këtyre shteteve të cilat edhe janë përgjegjëse individualisht për të marrë vendimin. Kurse, deklaratat e shumta dhe te ndryshme nga ana e qeverise në lidhje me këtë proces shpërfaqin një mungesë koordinimi sa i përket këtij procesi si dhe një paqartësi apo diskutim në ’ajër’ rreth vendimit”, ka shtuar Rexha.

Taulant Kryeziu nga Instituti Epik, ka theksuar për Telegrafin se lobimi më i mirë që mund të bëjnë institucionet e Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave, është që të kryhen sipas tij, detyrat e shtëpisë.

Ai ka theksuar se institucionet e vendit duhet të kenë vullnet politik për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, duke ndërtuar sipas tij, drejtësi efikase dhe të pavarur nga partitë politike.

“Kjo është leva përmes së cilës ne duhet të lobojmë te vendet e BE-së. Nëse ne tregojmë vullnet dhe punojnë në këtë drejtim, atëherë mund të trokasim nëpër dyert e shteteve të BE-së dhe t’i bindim ata se e meritojmë liberalizimin e vizave. Ne kemi të bëjmë me vendimmarrje politike që mund të ketë edhe elemente të tyre të brendshme, si emigrimi”, ka shtuar Kryeziu.

Ai ka theksuar se asnjë përfaqësues institucional i Kosovës nuk guxon ta fajësoj BE-në për problemin e liberalizimit të vizave.

“Sa i përket liberalizimit te vizave brenda këtij viti asnjë institucion i BE-së nuk ka thënë se do të ndodhë lëvizja e lirë këtë vit. Cili institucion ose vend anëtar i BE-së ka thënë se këtë vit do të ndodhë liberalizimi i vizave. Komisioni ka dhënë rekomandim trupave legjislativ – Parlamentit dhe Këshillit, tash vendet anëtare secila veçmas vendos”, ka theksuar Kryeziu. /Telegrafi/