Stoltenberg për vizitë dyditore në Maqedoni

0

Në prag të referendumit të caktuar për më 30 shtator, sot për një vizitë dyditore zyrtare në Republikën e Maqedonisë vjen sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Njeriu i parë i NATO-s në Shkup duhet që të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe me përfaqësues të tjerë të lartë zyrtarë, informojnë nga pres shërbimi qeveritar.

Takimi me Zaev do të mbahet nesër në Klubin e Deputetëve, ku është parashikuar edhe një pres konferencë e përbashkët.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg do të aterojë sonte në aeroportin e Shkupit, ndërsa do të pritet nga ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

Nesër në axhendën e tij përveç aktiviteteve dhe takimeve, Stoltenberg do ta vizitojë edhe Stajkovcin ku në vitin 2016 ushtarë dhe pajisje të NATO-s ishin angazhuar për tejkalimin e pasojave nga përmbytja. Stoltenberg do ta vizitojë edhe kazermën Ilinden ku do të marrë pjesë në një stërvitje demonstrative të pjesëtarëve të forcave speciale.

Në kazermën Ilinden parashikohen deklarata për media nga Stoltenbergu dhe Shekerinska.

Sipas axhendës nga pres shërbimi i NATO-s, Stoltenberf në Shkup do të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin.

Në prag të referendumit, në Shkup këtë javë vijnë edhe kancelarët e Gjermanisë dhe të Austrisë, Angela Merkel dhe Sebastian Kurc.