Festim Halili: Vota pro në Referendum, do të jetë një indikator i qartë, që tregon se qytetarët tanë mëtojnë drejt një perspektive të re dhe më të mirë!

0

Ish Zv.Kryeministri Festim Halili ka postuar ne profilin e tij ne Facebook, një analizë pse duhet të votohet PRO në Referendum.

Në postim e tij, Z. Halili shprehet:

“Referendumi, paraqet një mundësi për ti dhënë jetë neofunksionalizmit, respektivisht kahëzimit të vendit tonë në drejtim të Aleancës Veri-Atlantike dhe rreshtimit në një vi me Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit, që ndajnë vlera të përbashkëta të qytetërimit evropian.
Vota pro, do të jetë një indikator i qartë, që tregon se qytetarët tanë mëtojnë drejt një perspektive të re dhe më të mirë.
Njëherit, ky proces do të promovojë idenë e fqinjësisë së mirë dhe tejkalimit të ngërçeve politike me fqinjët dhe hapërimit drejt një të ardhme më të sigurtë për ne dhe pasardhësit tanë.
Një kohë, skepticizmi ishte i lartë i shumë njerëzve ndaj thirrjes së kryetarit të BDI-së z. Ali Ahmeti për integrimet në NATO dhe BE, por tani ndodhemi në një situatë të re dhe duke qenë realist, kuptojmë se mesazhet që përsëriteshin shpesh, kishin kuptimin e shiqimit matanë maleve dhe sot po bëhen realitet.
Unë besoj fort që vetëm neofunksionalizmi dhe integrimi i plotë i vendeve të rajonit është rruga për stabilizimin e Ballkanit, por edhe të vetë Evropës.
Vota pro, do të thotë që duam të jemi të siguruar nën ombrellën e NATOs, do të thotë që do vazhdojmë me reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, modernizimin dhe aplikimin e standardeve të reja në zhvillimin e kuadrove profesionale në vatrat e dijes, do të thotë që duam të jemi përkrah botës së civilizuar, respektivisht shteteve të Evropës dhe SHBA-ve.

Njëherit, potencoj faktin që referendumi nuk reflekton matjen e forcave të partive të skenës politike në vend, suksesi i mundshëm, që nuk e vë në dyshim, do ti atribuohet vet qytetarëve dhe të ardhmes më të mirë për fëmijët tanë. Kjo nënkupton se gjitha partitë politike, sektori civil, mas-mediat, që janë në funksion dhe shërbim të banorëve të këtij vendi, duhet të luajnë një rol konstruktiv dhe të informojnë votuesit për rëndësinë e këtij procesi.
Vota ime do të jetë një copëz e ndryshimit që ne duam të shohim në botë.”