Ja pse fitorja e Erdoganit u përjetua si festë e madhe tek shqiptarët e Maqedonisë

0

Në rrjete sociale ka qenë e dukshme lidhje e tyre emotive me zhvillimet e atjeshme, si gjatë fushatës e më pas, ditën e zgjedhjeve. Ka patur prej atyre cinikëve që në emër të ndjenjave kombëtare e kanë parë këtë sjellje komunitare si të tepruar. Por në të vërtetë, sa kombëtare është pikërisht kjo sjellje, ky gëzim kolektiv për fitoren e atij që e ka rikthyer potencën e Turqisë në rajon e me gjerë?

Murat Aliu dhe Abdylvehab Ejupi janë dy prej mijra shqiptarëve të Maqedonisë që jetojnë në Turqi dhe që janë angazhuar me qasjen analizuese të fenomeneve politike e sociale në raportet mes dy vendeve. Për ta, gjithçka ndodh me ata shqiptarë që i gëzohen fitores së Erdoganit, është mëse e natyrshme dhe përplot me arsye kombëtare, pos atyre sociale.

“Por nëse shohim mozaikun e përgjithshëm, shqiptarët por edhe i gjithë rajoni, me fitoren e Erdogan do të kenë mundësi të vazhdojnë miqësinë dhe marrëdhëniet e mira me Turqinë veçmas në fushën ekonomike, sepse siç është e njohur. Turqia në krye me Erdogan në 15 vitet e fundit dukshëm është ‘hapur’ ndaj botës, përfshirë këtu edhe ndaj Ballkanit, dhe rrjedhimisht bashkëpunimi në sferën ekonomike, por edhe në atë kulturore e arsimore ka shënuar një rritje të dukshme, ndërsa shqiptarët kanë pasur mundësi t’i ndjejnë këto benificione nga ky bashkëpunim”, thotë Aliu.

Nga ana tjetër, Abdylvehab Ejupit, thotë festimi i shqiptarëve të Maqedonisë i fitores së presidentit Erdogan, ka logjikën e vet. Sipas tij, populli ka një instikt të arsyeshëm për ta përkrahur një kauzë që ka brenda sinqeritetin dhe aftësinë e një shteti të fuqishëm dhe me rol vendimtar në rajon.

“Tani e tutje kjo prezencë e Turqisë do të jetë edhe më e madhe dhe bashkëpunimi me instutucionet shtetërore dhe civile në arsim, ekonomi, media, kulturë, teknologji, ushtri e polici do të jetë edhe më efektive dhe më përmbajtësore. Bashkëpunimi i tillë që duket në horizont pa dyshim që do të kontribuon në sigurinë e Ballkanit dhe shteteve shqiptare në veçanti pasi Turqia duke qenë shteti i dytë më i fuqishëm pas SHBA-së ushtarakisht, fuqishëm përkrah integrimin e rajonit në NATO, gjithashtu duke ushtruar autoritetin dhe prestigjin politik dhe historik në Ballkan si trashëgimtare e Perandorisë Osmane do të kontribon në ndërtimin e aleancave të reja mes popujve të Ballkanit, historikisht armiqësore, pastaj fuqizimi ekonomik pa dyshim që do të prekë edhe tokat shqiptare me investime strategjike që do të kontribon në zbutjen ekonomike të vështirë që po përballen shtetet shqiptare”, thotë Ejupi. /tesheshi.com/