Hungaria voton, ja kush është partia favorite për të fituar zgjedhjet

0

Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz pritet t‘i fitojnë zgjedhjet parlamentare të dielën (08.04), por se në ç’masë për këtë nuk bëhen dot prognoza. Hungaria dhe Europa duhet të përgatiten për një konfrontim të ri.

Nga viti i ndryshimit 1989 në Hungari zgjedhjet zhvillohen rregullisht në një atmosferë të ndezur. Por klima në vend kësaj është veçanërisht e ndezur. Kryeministri nacional-konservator, Viktor Orban dhe partia Fidesz bëjnë fjalë për ‘zgjedhjet më të rëndësishme të Hungarisë’, ku në lojë është hedhur kontinuiteti i kombit hungarez, të kërcënuar ‘emigrantët’ dhe ‘forcat internacionaliste’. Partitë e majta dhe opozita e djathtë kërkojnë të shpëtojë shtetin ligjor dhe demokracinë.

Edhe po të mendosh, se kjo është retorikë e zakonshme e një luftë zgjedhore: Kësaj here zgjedhjet kanë shumë rëndësi. Për Hungarinë dhe Europën. Viktor Orban, pionieri europian është i pari kryetar i qeverisë së një vendi që ka instaluar shtetin iliberal, ku mekanizmat e shtetit ligjor dhe demokratik vlejnë vetëm formalisht. Prandaj këto zgjedhje, megjithëse Hungaria me popullsinë 10-milionëshe duket e vogël, kanë një rëndësi të madhe për Europën.

Image

Zgjedhje ‘të lira, por të padrejta’

Transformimi i Hungarisë vihet re në sistemin zgjedhor. Në këto zgjedhje duhet të zgjidhen 199 deputetë, 106 prej tyre në qarqe të përcaktuar me të drejtë shumice, por 93 deputetë zgjidhen në bazë të së drejtës komplekse të proporcionalitetit. Para zgjedhjeve qarqet zgjedhore u përshtatën sipas nevojave të partisë Fidesz, partisë më të madhe hungareze. Anëtarë të pakicave hungareze në vendet fqinjë, që kanë shtetësinë hungareze, mund të votojnë për listat e partive edhe me letër. Kurse qytetarë hungarezë që punojnë jashtë duhet të shkojnë personalisht të japin votën në konsullata apo ambasada. Për shkak të këtyre zhvillimeve e rrethanave të tjera, ekspertët flasin për zgjedhje të „lira por të padrejta”. Partia e Orbanit ka siguruar një pozicion startimi më të mirë.

Është e pasigurtë, nëse Victor Orban do të përsërisë suksesin e tij të zgjedhjeve të kaluara, ku fitoi 44%. Vëzhguesit zgjedhor nuk guxojnë të bëjnë shumë prognoza. Sondazhet japin rezultate nga më të ndryshmet. Me shumë gjasa, skenari më i mundshëm, është që partia Fidesz të fitojë zgjedhjet, por të humbasë shumicën absolute me dy të tretat. Kjo do të varet, se në sa qarqe zgjedhore, partitë opozitare do të bien dakord për një kandidat të përbashkët. Nëse kjo nuk bëhet, Fidesz e ka të sigurtë fitoren.

Tamás: Parlamenti hungarez ‘mbështjellëse bosh’

Fitorja me dy të tretat do të ishte për Victor Orban një çështje prestigji me fuqi simbolike brenda dhe jashtë vendit. Praktikisht ai nuk ka nevojë për këtë. Në tetë vitet e fundit, ai e ka ndryshuar Hungarinë shumë. Mediat publike dhe mjaft private janë nën kontrollin e qeverisë. Në administratën publike ka pasur një shkëmbim elitash, në shumë institucione të drejtësisë janë vendosur njerëz  besnikë të Orbanit. Filozofi i majtë dhe një luftëtar antikomunist, G.M. Tamás e quan parlamentin hungarez një ‘mbështjellëse bosh’, përveç kësaj Orban ka ndryshuar administratën rajonale dhe të qarqeve, nuk ka më instanca të ndërmjetme mes qeverisë dhe kryebashkiakëve në rajone.

Pushteti i Orbanit është çimentuar kaq shumë, saqë edhe në opozitë ai do të ishte i fortë. E megjithatë mbajtja e pushtetit është për të një çështje esenciale. Sepse bëhet fjalë, siç shprehet opozita, për të ruajtur ‘shtetin e mafias’. Një shprehje pllakative për atë që në vitet e fundit, sipërmarrës nga rrethi i afërt i Orbanit, familja, miq kanë kapur majat e pasurisë përmes metodave të dyshimta.

Polarizim i madh

Ekspertë të pavarur e quajnë konceptin e ‘shtetit të mafias’ të ekzagjeruar. Ekonomisti konservator, László Csaba nga ‘Central European University’ i Budapestit, thotë se Orban qeveris përmes ‘mbirregullimit’ dhe ndikon fort në ekonominë e mesme. Që ‘oligarkët afër Orbanit’ kanë arritur pasuri të mëdha, ky është një fenomen që gjendet kudo në rajon. Ndërsa ekonomisti liberal András Inotai bën fjalë për një ‘shtet vasalësh’, ku sipërmarrësit janë kthyer në vasalë të Orbanit.

Orban polarizon. Sipas tij, nëse ai nuk është më në pushtet, Hungaria do të merrte fund bashkë me hungarezët. Një retorikë që ta bën të lehtë të përfytyrosh, se ç’do të ndodhë, nëse Victor Orban fiton zgjedhjet. Ç’tensionim nuk do të ketë sigurisht. Që në zgjedhjet e vitit 2014, Orban e hodhi poshtë idenë e diskutuar brenda partisë Fidesz për një kurs politik më pragmatik. Europa dhe hungarezët duhet të përgatiten sërish për konfrontim. /DW