Komuniteti turk reagon pas sulmit ndaj flamurit turk

0

Komuniteti turk në Maqedoni ka reaguar pas një sulmi ndaj flamurit turk në qytetin e Tetovë.

Reagimi vjen pas një videoje të postuar në rrjetin social Facebook gjatë ditës së djeshme në të cilën shfaqen pamje të një sulmi ndaj flamurit turk.

Përmes një deklarate me shkrim, Partia e Lëvizjes Turke në Maqedoni (THP) e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar atë si sulm ndaj kulturës së bashkëjetesës në Maqedoni.

“I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit tonë dhe posaçërisht organeve partiake të qëndrojnë larg sjelljeve provokative”, thuhet nga THP.

Ndërkohë, Lëvizja e Unionit Kombëtar Turk në Maqedoni (TMBH) e ka cilësuar sulmin si mosrespekt ndaj Republikës së Turqisë dhe botës turke, ndërsa ka kërkuar që autori të marrë dënimin e merituar sa më parë.

“Sugjerojmë komunitetin turk në Maqedoni të mos bie pre e këtyre provokimeve dhe të informojë organet e sigurisë në raste të tilla”, theksohet ndër të tjera në deklaratën me shkrim nga TMBH.

Sulmi është dënuar edhe nga Partia Demokratike Turke (TDP), e cila e ka quajtur atë mungesë respekti dhe sulm ndaj miqësisë turko-shqiptare.

“Ky mosrespekt u bë ndaj miqësisë mes turqve dhe shqiptarëve, të cilët me shekuj të tërë kanë jetuar dhe do të vazhdojnë të jetojnë së bashku”, thonë nga TDP, duke shtuar se ata nuk do të bëhen pjesë e provokimeve.

Nga ana tjetër, nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB) thonë se sulmet e tilla nuk do të mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet e mira shqiptaro-turke.