Sa realiste është data 2025 për Ballkanin Perëndimor?

0

Nëse një shoqërie i kërkohet të adoptojë një sistem të ri vlerash, afatet nuk maten me vite, por me dhjetëvjeçarë, beson shkrimtarja Anila Wilms. Dhe kjo vlen edhe për Ballkanin Perëndimor.

Komisioni i BE-së ia doli të na habisë të gjithëve me lajmin se Ballkani Perëndimor, e fundit njollë e bardhë në hartën e Evropës, do të pranohet në BE. Jo në një të ardhme të largët, por duke filluar që nga viti 2025. Personalisht s’kam qenë kurrë e sigurtë nëse do ta arrija këtë ditë të mbarë apo jo. E megjithatë sot s`po u gëzuakam dot.

Dokumenti që ka botuar Komisioni me këtë rast është mjaft interesant nga disa pikëpamje. Bie në sy menjëherë se si e konsideron Brukseli Ballkanin Perëndimor: si një pacient të sëmurë rëndë që dergjet para portës së BE-së – ndaj dhe i takon kësaj të fundit që ta mjekojë. Sipas këtij dokumenti, hyrja e Ballkanit Perëndimor në Union nuk është asgjë më pak se një “investim gjeostrategjik në sigurinë” e qytetarëve të BE-së. Flitet për bashkëpunim policor dhe gjyqësor, për sigurinë kufitare dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, për strategji kundër terrorit dhe radikalizimit në BE, kundër kontrabandës së armëve e drogës apo pastrimit të parave. Arsyeve të sigurisë u shtohen edhe ato ekonomike: Ky rajon është një treg premtues për mallrat dhe shërbimet e BE-së; në kthim, rajonit do t’i rritet mirëqenia dhe do t’i përmirësohet qeverisja.

Pason një listë pambarisht e gjatë me detyrat që u dalin kandidatëve të rinj me këtë rast: të drejtat e njeriut, dialogu konstruktiv në politikë, pavarësia e mediave, të drejtat e pakicave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të autoriteteve. Dhe si pikë qendrore, mbizotëruese: zgjidhja e konflikteve fqinjësore.

Image

Autorja e shkrimit, Anila Wilms

Dy sisteme vlerash tepër të ndryshëm

Lexuesi e ndjen se pikërisht ky është kyçi, simptoma bazë nga e cila vuan Ballkani Perëndimor. Të gjitha sëmundjet e tjera lidhen me mënyrën se si trajtohen konfliktet atje. Konfliktet në Ballkan nuk zgjidhen. Konfliktet fitohen. Ose humben. Dhe mjerë ai që humb.

Tradicionalisht popujt e Ballkanit janë popuj luftarakë. Zhvillimi i tyre nuk njeh asnjë nga fenomenet e mëdha historike që formuan Evropën Qendrore në Kohën e Re: Reformacioni, Iluminizmi, Revolucioni Industrial.

Është e vërtetë se Evropa është shumë më e përparuar përsa i përket konsensusit, kompromisit, bashkëpunimit. Dhe patjetër që zhvillimi i dëshiruar i shoqërive në kohën e sotshme s’mund të shkojë veçse në këtë drejtim.

Cilat janë perspektivat?

Duke pasur parasysh zhgënjimin e popujve të BE-së me Brukselin në vitet e fundit, duhen bindur ata me “fakte dhe informacione” mbi avantazhet e pranimit në Union të Ballkanit Perëndimor. Është pa dyshim një ndërrmarje që do t’u kushtojë shtrenjtë, prandaj afrimi duhet të “ndodhë gradualisht, në krahasim me zgjerimet e mëparshme, të befasishme”.

E megjithatë, sakrificat më të mëdha duhet t’i bëjnë vetë ballkanikët. Jeta e tyre duhet t’i afrohet jetës së përditshme të BE-së, “deri në lëndët që mësojnë fëmijët në shkollë”. Kandidatët e rinj duhet të adoptojnë pra një sistem të ri vlerash. Kjo kërkon një “vullnet të fuqishëm politik” dhe “dyfishimin e përpjekjeve” për të shfrytëzuar këtë “rast unikal” në histori.

Prej popujve të Ballkanit pritet jo më pak sesa që të ndërrojnë kreykëput karakterin e tyre. Ka shumë mundësi që kjo lloj kërkese të shkaktojë dhimbje dhe kundërshtim tek ata. Së pari, sepse askush nuk heq dorë lehtësisht nga identiteti i vet. Së dyti, sepse jeta në Ballkan është në pjesën më të madhe e ëmbël. Miqësitë vlerësohen shumë, po ashtu dhe lidhjet familjare. Brenda këtyre rrjeteve ka shumë shkëmbim, vëmendje dhe ndihmë të sinqertë, respekt dhe besnikëri; njerëzit janë të kënduar dhe me dell poetik, kanë ideale të larta dhe zemër të madhe, qeshin me gjithë shpirt dhe bëjnë njëri-tjetrin të lumtur.

Por edhe “bëmat heroike” të paraardhësve janë pjesë e identitetit kolektiv, për të cilin brezat kanë qenë gjithmonë krenarë. Në të njëjtën kohë ka gjithnjë e më shumë njerëz, sidomos të rinjtë, që po kuptojnë se diçka nuk shkon me shpirtrat e tyre. Kultura e urrejtjes nacionaliste apo regjionaliste është një kurth për psikikën. Kur nxemja bie, lë pas rrënoja, plagë e zbrazëti.

Ajo e famshmja “nostalgji për Evropën” s’është në thelb veçse një dëshirë për paqe, dëshirë për shërim. Prandaj unë them se ka shpresë për Ballkanin Perëndimor.

Një ndërtesë e re

E kam këtë besim, sepse këtë lloj “shërimi” e kam përjetuar vetë në Gjermani. Shembulli gjerman gjithashtu tregon se popujt mund të mësojnë mënyra të reja të trajtimit të konflikteve dhe agresionit.

Por, nëse është e vërtetë se pranimi i Ballkanit Perëndimor është në interesin e BE-së, nëse përballë situatës së komplikuar globale bashkimi i popujve evropianë është i domosdoshëm, atëherë BE ka nevojë për një koncept krejtësisht të ri; për një ndërtesë më të madhe, me themel më të fortë, me  më shumë kate e dhoma për familjen e zgjeruar. Nëse do të realizohet një ditë vizioni i ndritur i Evropës si një familje solide e kombeve, ku çdo anëtar kontribuon sipas talenteve të tij, ahere duhet largpamësi, sensibilitet, aftësi dhe mbi të gjitha durim. 2025 mund të jetë një hap i parë. Por në thelb kjo është një detyrë për disa breza.