Zaev i tregoi katër ofertat e Maqedonisë për çështjen e emrit

0

Maqedonia ka ofruar katër opsione për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për agjencinë “Rojters”, njofton Portalb.mk.

Maqedonia shpreson se zgjidhja e kontestit do të zgjidhet në kohë që të fitohet rekomandim për fillim të bisedimeve me BE-në në qershor dhe konfirmim të ftesës për anëtarësim në NATO në korrik të këtij viti dhe propozon përcaktues gjeografik në emrin e Maqedonisë.

“Propozimet janë Republika Veriore e Maqedonisë, Republika e Epërme e Maqedonisë, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Republika e Maqedonisë (Shkupi)”, deklaroi Zaev për Rojters në Londër, ku ka marrë pjesë në samitin investues për Ballkanin Perëndimor nën organizim të Bankës Evropiane për rinovim dhe zhvillim.

I pyetur nëse Greqia do të jetë e kënaqur me njërën nga këto opsione, Zaev u përgjigj: “Po… disa opsione më shumë i preferojnë, ndërkaq disa të tjera jo (në lidhje me ermin)”.

Ai shtoi se ngelet i hapur rreth çështjes nëse ekziston “nevojë e vërtetë” për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, diçka që Greqia e kërkon në muajt e fundit.

Kryeministri Zaev është i bindur se nëse me zgjidhjen e këtij kontesti ruhet dinjiteti i qytetarëve, ato do ta përkrahin në referendum.

KONTESTI 25 VJEÇAR

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.