Maqedoni, edhe një viktimë nga zjarri në shtëpi

0

Një 83-vjeçar me iniciale M.Sh. është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Gostivar. Humbja e jetës ka ardhur si pasojë e ngufatjes nga tymi i cili ka ardhur nga zjarri që ka kapluar shtëpinë, njofton Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, rasti ka ndodhur gjatë pasdites së të premtes, rreth orës 14:30 në fshatin Banicë të Epërme të Gostivarit.

Vdekja është konstatuar nga ana e mjekut të Ndihmës së Shpejtë. Prokuroria Publike ka kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes dhe është konstatuar se në shtëpinë ku është gjendur 83-vjeçari ka pasur zjarr nga i cili është djegur edhe një pjesë e orendive, kurse trupi dhe dhoma e ndejës kanë qenë të mbuluar nga tymi. Trupi i të pajetit është dërguar për obduksion.

Përndryshe, ky është rasti i tretë në Maqedoni ku si pasojë së shtëpitë janë kapluar nga zjarri, ka pasur edhe viktima. Rasti i parë ndodhi në Tetovë ku pesë persona humbën jetën kurse rasti i dytë ishte në Manastir ku kishte dy viktima.