Kushtet e këqija në shkolla, prindërit grumbullojnë fonde

0

Nismat nëpër shkolla të ndryshme fillore për mbledhje të parave nga prindërit për rregullimin e gjërave në klasë duket se janë bërë gjë e zakonshme dhe thuajse nuk shqetësojnë askënd. Fatkeqësisht, përveç ngjyrosjes së mureve në klasë, blerjes së perdeve, dërrasës së zezë, shpuzës e deri te shkumësi tashmë kanë nisur iniciativa edhe për blerje të bankave dhe karrigeve, një nga elementet kryesore të procesit mësimor. Alsat inspektoi në teren shumë shkolla fillore në Çair dhe Butel për ta kuptuar të vërtetën. E siç thotë populli, “çka ka shpija tregon fëmija”, në këtë rast nxënësit janë ata që tregojnë të vërtetën për shtëpinë e tyre të dytë, shkollën.

“Kemi mbledhur para për ta rregulluar klasën, e kemi ngjyros se ishte dëmtuar. Nga sa para i keni mbledh? Nga 100 denarë. A keni dhënë gjithë nxënësit para? Po, të gjithë”.

“Ne kemi mbledhur për shpuzë edhe një dërrasë se këto të klasës së tetë i dëmtojnë. Tani jemi duke mbledhur edhe disa para për ta rregulluar dollapin. Një herë i kemi mbledhur 100 euro veç për dërrasën, tash i kemi mbledhur 1 mijë denarë por jemi duke mbledhur ende. Tash jemi duke mbledhur për disa lojëra për edukatë fizike, për shpuzë, shkumës e të tjerë”.

Ndërkohë, shumë prej prindërve dhe gjyshërve që shoqëronin fëmijët thonë se këto nisma duhet ndërprerë urgjentisht, pasi kjo është obligim i institucioneve të arsimit dhe të vetëqeverisjes lokale. E disa të tjerë thonë se mbështesin idenë për të ndihmuar por jo për shuma të mëdha.

“Nuk është normale kjo, më duket se jemi shtet social, nuk jemi ndonjë shtet i pasur”.

“Nëse ka fond shkolla duhet shkolla, nëse nuk ka atëherë duhet prindërit edhe pse besoj që nuk është në rregull ajo, po tash ashtu është situata”.

“Paratë që i kërkojnë janë nevojë për shkak se shkolla nuk i përmbush nevojat e arsimtarit. Ajo iniciativë vjen për shkak se nuk ka komisione të arsimit, inspektorati që të vij ta kontrollojë shkollën, nuk është problemi te shkolla po është te ministria”.

“Nëse është ndonjë shumë e vogël le ta japin për fëmijët”

“Nuk duhet të ndodhë kjo, duhet komuna t’i kryej të gjitha obligimet dhe shpenzimet. Nuk ka ndihur deri tani, nuk e di”.

Ministrja e Arsimit, Renata Deskovska tha se këto nisma janë jashtëligjore dhe të gjitha rastet duhet të paraqiten në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.

Obligimi për pajisje dhe mirëmbajtje të shkollave, rregullimi i tyre është obligim i shkollës, vetëqeverisjes lokale, dhe në fund edhe obligim i Ministrisë së Arsimit, nuk është obligim i prindërve. Të gjitha rastet që arrijnë te unë si informacion unë i drejtoj deri te Inspektorati shtetëror i cili duhet të kryej kontroll dhe të tregojë nëse gjejnë një situatë të tillë për shkak se kur bëhet fjalë për aktivitete të tilla, është e palejuar sipas ligjit, që këto obligime t’u imponohen nxënësve dhe prindërve të tyre – deklaroi Renata Deskovska, ministre e Arsimit.

Vitet e fundit, në shumë shkolla fillore të vendit janë organizuar iniciativa të ndryshme për mbledhje të fondeve me të cilat janë rregulluar ose plotësuar shumë kërkesa për mbarëvajtjen e procesit arsimor.

Melihate Rustemi