Bejta: Taravari ka dashur ta vret Selën

0

“Arben Taravari ka dashur ta vret Ziadin Selën”, kjo ishte akuza e sotme e ish kryetarit të Komunës së Gostivarit, me rastin e 100 ditëshit të parë të udhëheqësisë së re të komunës, raporton Portalb.mk.

Këto akuza, Bejta i ndërlidh, që sipas tij, Taravari, gjatë kohës që ka qenë ministër i Shëndetësisë ka bashkëpunuar me persona të afërt me ish deputetin Kërsto Mukoski, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për shkak të hapjes së dyerve të Kuvendit në natën e përgjakshme të 27 prillit.

“Duhet ta dijë opinioni se më 14.09.2017, ndërmarrjes Via Vevçani nga Struga Arben Taravari i ka lëshuar 22 milion e 832 mijë denarë apo mbi 370 mijë euro. Kjo firmë është në emër të Gjoko Ugrinovskit, i cili është person i afërt i deputetit Kërsto Mukoski të VMRO-DPMNE-së i cili deputet i hapi dyert e parlamentit për ta rrahur deri në vdekje Ziadin Selën, kryetarin e Taravarit dhe sot ky deputet ndodhet në burg. E tash del në sipërfaqe se kush dëshironte ta vret Ziadin Selën, ai i cili bashkëpunoi si ministër me strukturat e VMRO-së, me vrasësit e Ziadin Selës. Vrasës del të jetë Taravari, për shkak se ai ka plane të veta në partinë Aleanca për Shqiptarët”, tha Bejta.

Ndaj akuzave të tij, ka reaguar kryetari aktual i Gostivarit, Arben Taravari, i cili tha Bejta nuk ka kredibilitet që të flet për ne pasi që aj ka qenë ish ministër i Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtor i ish kryespiunit Sasho Mijallkovit, ndërkaq në lidhje me bashkëpunimin e tij me VMRO-DPMNE, ai tha se gjatë kohës së tij që ka qenë ministër, nuk është realizuar asnjë tender.

“Derisa kam qenë ministër asnjë tender nuk e kam realizuar”.

“Ish ministri i Nikolla Gruevskit dhe ish miku i Sasho Mijallkovit, N.B., më akuzon mua se paskam bashkëpunuar me ndonjë ndërmarrje të VMRO-së, që s’ka lidhje, s’është e vërtetë. Dua të them me plot përgjegjësi se derisa kam qenë ministër i Shëndetësisë, flas për 110 ditë, asnjë tenderë nuk është realizuar edhe s’ka pasur bashkëpunim të tillë. Nuk ka krediblitet një njeri që ka qenë ministër ish pushtetit, një njeri i cili në vitin 2013 është zgjedhur kryetar komune me ndihmën e shërbimeve të Mijallkovit në Gostivar, të akuzon ndonjë tjetër që 100 ditë ka ardhur në pushtet”, tha Taravari.