Migrena ndërlidhet me probleme të zemrës

0

Vuajtja nga migrena mund të jetë shenjë e problemeve të fshehta të zemrës, thotë një hulumtim 19-vjeçar i cili ka përfshirë më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Problemet kardiovaskulare, duke i përfshirë sulmet e zemrës, të trurit, bllokimet e artereve dhe rrahjet e parregullta të zemrës, janë të gjitha të ndërlidhura me migrenën – thotë hulumtimi i publikuar në revistën ‘British Medical Journal’, transmeton Telegrafi.

Hulumtuesit kanë zbuluar se ata që vuajnë nga migrena janë më të prirë të kenë sulm në zemër sesa ata të cilët nuk kanë simptoma të dhimbjes së kokës – 25 për 1,000 persona krahasuar me 17 për 1,000.

45 në 1,000 persona që vuajnë nga migrena gjithashtu përjetojnë ndonjë formë të sulmit të trurit, krahasuar me 25 në 1,000 persona që nuk vuajnë nga migrena.

Hulumtuesit danezë dhe amerikanë kishin mbledhur të dhënat e pacientëve mes viteve 1995 dhe 2013.

Nga njerëzit e analizuar, mbi 51,000 kishin qenë të diagnostikuar me migrenë, dhe më shumë se 510,000 nuk kishin qenë.

Hulumtuesit kishin zbuluar se mosha mesatare kur dikush diagnostikohet me migrenë është 35 vjet – 71 për qind prej tyre janë gra.

Por, këshilla e doktorëve është se migrena duhet të konsiderohet si faktor rrezik i sëmundjeve kardiovaskulare te dy gjinitë. /Telegrafi/