Mbështetje nga PE-ja për zhbllokim të euro-integrimit të Maqedonisë

0

Eurodeputetët Viktor Boshtinaru, Tanja Fajon dhe Tonino Piculla nga grupi i deputetëve të social-demokratëve në Parlamentin Evropian, në takimin e sotëm me shefin e diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov e riafirmuan mbështetjen për avancim dhe zhbllokim të procesit euro-integrues të Maqedonisë me fillim të negociatave për inkuadrim me BE-në, transmeton Medial.mk.

Siç kumtoi MPJ-ja, në takim është biseduar për procesin euro-integrues të Republikës së Maqedonisë dhe implementimin e reformave kyçe, ndërsa janë shqyrtuar edhe aktivitete më të rëndësishme vijuese nga agjenda evropiane, si dhe çështje të tjera aktuale.

“Dimitrov e potencoi gatishmërinë e Qeverisë për angazhim të plotë në implementimin e reformave kyçe me qëllim që në afat më të shkurtër të hapet rruga për ripërtëritje të rekomandimit për fillim të negociatave për inkuadrim, si hap për marrje të vendimit për fillim të negociatave për inkuadrim. Megjithatë shprehu falënderim për mbështetjen dhe qasjen konstruktive të Parlamentit Evropian në procesin e inkuadrimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, qëndron në kumtesë.

Eurodeputetët, e kanë riafirmuar mbështetjen nga grupi i social-demokratëve në parlamentin Evropian për avancim dhe zhbllokim të procesit euro-integrues të Maqedonisë me fillim të negociatave për inkuadrim. “U dakorduan se Republika e Maqedonisë meriton të fitojë shans për inkuadrim në familjen evropiane”, njoftojnë nga MPJ-ja.

Në takim, thuhet, është theksuar gatishmëria e përbashkët për bashkëpunim dinamik në drejtim të realizimit të këtyre qëllimeve.