Gjuhët, vazhdon përkthimi i amendamenteve

0

Kuvendi akoma nuk ka përkthyer 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Burime nga ligjvënësi njoftojnë shkurt se pas përkthimit të tyre, Kryetari i Kuvendit do të njoftojë shtesë për datën e shqyrtimit të tyre. Pavarësisht se amendamentet janë pranë përfundimit, partitë e shumicës parlamentare akoma nuk kanë përcaktuar strategjinë për tejkalimin 35 mijë amendamenteve në afat të shkurtër kohorë. Burime nga shumica parlamentare bëjnë të ditur se Kuvendi mund të thirret në nenin 164 të rregullores së Kuvendit, që ndërlidhet me nenin 153 e që ka të bëj me diskutimin njëherësh të amendamenteve që kanë të bëjnë me të njëjtin nen.

Neni 164, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit

Shqyrtimi i amendamenteve zhvillohet në përputhje me nenin 153 të kësaj Rregulloreje .

Variant tjetër mbetet edhe shfrytëzimi i nenit 165 i Rregullores, i cili i jep të drejtë ekskluzive kreut të Kuvendit të përfundojë diskutimin mbi amendamentet e propozuara.

Neni 165, paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit

Kryetari i Kuvendit mund ta përfundojë diskutimin për propozim-ligjin, amendamentet dhe aktet e tjera nga kompetenca e Kuvendit, ndërsa për votimin e të njëjtave do ta caktojë ditën dhe orën kur do të deklarohet Kuvendi.

Burime nga shumica parlamentare thonë që ekziston edhe mundësia që Kuvendi të vendosë në rend dite Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe i njëjti të votohet pa diskutim. Megjithatë kjo mundësi mund të bie poshtë pasi që Kuvendi është tashmë duke proceduar përkthimin e amendamenteve. Vetë kreu i Kuvendit i propozoi opozitës tërheqjen e amendamenteve dhe më pas ngritjen e iniciativave në Gjykatën Kushtetuese si organ relevant për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjeve. Nga ana tjetër deputetë të përbërjeve të kaluara parlamentare vlerësojnë se për tejkalimin e kësaj çështje nevojitet ndryshim i Rregullores së Kuvendit, ndryshim ky për të cilin nevojiten 2/3 e votave. Në lidhje me konstatimet e presidentit Gjorge Ivanov në arsyetimin e tij për mos-dekretimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, VMRO-DPMNE-ja propozoi plotë 35569 amendamente. Ivanov për mos-dekretimin e ligjit u pronocua 6 ditë pasi shumica miratoi Ligjin e gjuhëve me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur.