BESA një parti me dy Kongrese, pritet të lind një “Besë e re”

0

Tanimë ndarjet brenda partiake në Lëvizjen BESA janë shfaqur në opinion dhe në dy taboret që pretendojnë se kanë legjitimitetin për të drejtuar këtë parti politike kanë caktuar Kongres të së njejtës parti më 24 shkurt, shkruan Zhurnal.

Në opinion dy grupet e kësaj force politike tanimë janë etiketuar edhe si krahu i Shkupit dhe Tetovës, ndërsa nga dy taboret për Zhurnal thonë se janë në përgatitje e sipër të Kongresit të së njejtës parti.

Nga krahu i Shkupit të cilët thonë se e kanë mbështetjen e shumicë në Lëvizjen BESA, për Zhurnal thonë se ata kanë caktuar kongresin për 24 shkurt dhe se po punojnë në mbajtjen e tij.

“Kongresi është caktuar për më datë 24 shkurt. Ende nuk dihen detajet rreth organizimit të kongresit. Sa për kongresin tjetër nuk kemi çka të prononcohemi, ne mund të flasim për shumicën e Këshillit Qendror dhe strukturave të Lëvizjes Besa”, thotë për Zhurnal, Orhan Murtezani, nga Lëvizja BESA.

Ai njoftoi se ende nuk ka ndonjë vendim gjyqësor mbi vendimet e Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA me të cilin është shkakruar nga detyra e kryetarit Billall Kasami dhe është emeruar Nexhmedin Kahrimani.

Edhe nga tabori i Tetovës theksojnë për Zhurnal se tanimë Komisioni është duke organizuar punën në terren, dhe janë duke u mbajtur zgjedhjet e brendshme në nivel vendor, komunal dhe në fund në Kongres edhe në nivel qendror. D.m.th. më 24 shkurt do të mbahet Kongresi i Lëvizjes BESA, nuk ka krahë këtu. Partia politike mund të ketë vetëm një Kongres.

Analisti politik, Isen Saliu thotë se është e qartë se pas ndarjeve në Levizjen Besa, në skenën politike do të kemi një parti të re.

“Është e qartë se pas ndarjeve në Lëvizjen Besa, në skenën politike do të kemi një parti të re. Në bazë të paraqitjeve publike të njeres dhe anës tjetër, duket se janë shterrur të gjitha mundësitë për vazhdim të funksionimit të këtij subjekti edhe më tej si subjekt i përbashkët. Dilema e vetëme është se cila anë do të vazhdojë ligjërishtë të funksionojë si Lëvizje Besa, e cila do të duhet të gjejë emër të ri. Këtë gjë si duket do ta vendose gjykata”, vlerëson për Zhurnal, Isen Saliu, analist.

Sipas tij, dileme tjetër është se cila anë e Lëvizjes Besa do të vazhdojë në opozitë, e cila në pushtet, sepse si duket të vogla janë gjasat që dy krahet të vazhdojnë të jenë pjesë e një fronti të përbashkët.

Nga ana tjetër, historiani Arben Llalla thekson se gjithnjë pushteti sllavo-maqedonas me vasalët e tyre shqiptarë vazhdojnë me teorinë Përça e Sundo.

“Si gjithnjë pushteti sllavo-maqedonas me vasalët e tyre shqiptarë vazhdojnë me teorinë Përça e Sundo. Kështu, BESA e ndarë në dy grupe të tretet si kripa në ujë. Vulën zyrtare do e marri BESA më e dobët, ndërsa grupi i BESËS më i fortë do të izolohet nga shtetit me qëllim që shqiptarët të jenë të ndarë e të përçarë”, thekson për Zhurnal, Arben Llalla, historian.