Zv kryemnistri Lika u takua me Delegacioni i BE-së, ja për çfarë kanë folur

0

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, Hazbi Lika, sot pasdite priti në takim pune Delegacionin e lartë të Bashkimit Evropian të kryesuar nga Zhan Kristof Beliard, drejtor politik për politikën e jashtme të BE-së, Anxhelina Ajhrost, drejtoreshë për shërbim të Evropës Perëndimore, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Gjenoveva Ruiz Kalavera, drejtoreshë në shërbim të zgjerimit të Komisionit Evropian, si dhe Samuel Zhbogar, Shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë.

Në këtë takim, njoftoi Sektori për marrëdhënie me opinionin, Delegacioni i BE-së i kryesuar nga Beliard uroi zëvendëskryeministrin Lika për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se kjo arritje është një hap i madh drejt konsolidimit të shtetit në rrugën drejt integrimit dhe ndërtimit të një shoqërie multietnike.

Paralelisht, Beliard përshëndeti Likën për ecurinë pozitive në aspektin e përmirësimit të raporteve me shtetet fqinje, si një indikacion përkushtimi dhe progresi i kësaj strukture të re qeveritare. Mes diskutimesh u theksua edhe rëndësia e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, me realizimin e së cilës do të përfitohet një mbështetje maksimale nga Bashkimi Evropian për integrimin e mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë në rrugën euroatlantike.

Mes të tjerash Beliard shprehu nevojën për bashkëpunim mes subjekteve politike qeveritare dhe opozitare për funksionimin dhe mbarëvajten e këtij shteti.

Në vazhdimësi, bashkëbiseduesit diskutuan rreth vlerave kulturore dhe fetare të bashkësive etnike që jetojnë në shtet, duke potencuar dhe përshëndetur vlerat autentike Islame që Maqedonia dhe shtetet e rajonit përmbajnë në vete.

Porosia e Beliard në këtë aspekt ishte që qytetarët të vazhdojnë të kultivojnë këto vlera tradicionale, të cilat shërbejnë si një shembull dhe influencë pozitive për shtetet tjera evropiane.

Së fundmi, Lika falënderoi përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe kontributin e tyre të palodhshëm, duke i siguruar se qeveria aktuale do të vazhdojë të punojë me përkushtim në rrijte të dinamikës së progresit dhe integrimit të Republikës së Maqedonisë.