Aprovohet ekstradimi për Grujevskin dhe Boshkovskin

0

Gjykata e Selanikut ka vendosur pro ekstradimit në Maqedoni të dy ish agjentëve të DSK-së, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski. Vendimi për ekstradim është kumtuar sot, por sipas njoftimit nga Gjykata e Selanikut, për këtë është vendosur që më 22 dhjetor. Megjithatë, dy ish agjentët vendimin e shkallës së parë e kanë ankimuar menjëherë në Gjykatën Supreme në Athinë.

Por ekstradimi i tyre nuk do të jetë edhe aq i shpejtë. Meqë pas fjalës së fundit nga Supremja, Grujevski dhe Boshkovski në Greqi do të gjykohen edhe për shfrytëzim të identitetit të rrejshëm. Policia Greke më 18 tetor arrestoi Grujevskin dhe Boshkovskin si dy shtetas bullgar me pasaporta të falsifikuara dhe emra Nexhbi Hasan dhe Hrsito Atanasov destinacioni i të cilëve kishte qenë Budapesti.

Jo zyrtarisht të akuzuarit e Prokurorisë Speciale në lëndët “Fortesa” dhe “Target” do të kërkojnë azil politik në Greqi, që nënkupton se ekstradimi i tyre në Maqedoni mund të ndodh vetëm pas gjykimit për pasaporta të falsifikuara dhe pas vendimit për azil politik. Paraprakisht në Selanik u anuluan dy seanca gjyqësore për shkak të mungesës së përkthyesit dhe mungesës së avokatit mbrojtës.

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski ishin në arrati prej 18 korrikut. Atyre u humben të gjitha gjurmët pasi që Supremja vërtetoi se ata duhet të përfundojnë në paraburgim. Periudhën e ankimimit që nuk është karakteristik e praktikës gjyqësore në Maqedoni, e kaluan në liri, ndërsa kur vendimi tashmë ishte konfirmuar nga gjykata më e lartë, ata u arratisën.

Grujevski dhe Boshkovski janë çelësi përmes të cilit PSP-ja duhet të dëshmojë se kush në mënyrë të paligjshme me vite të tëra ka përgjuar në Maqedoni. Ata akuzohen për rastet “Fortesa” dhe “Target”. Prokuroria Speciale pas të gjitha dëshmive të marra nga DSK-ja, njoftoi se procesi i regjistrimit të bisedave telefonike është zhvilluar në kuadër të policisë sekrete dhe se shërbime të huaja nuk kanë përgjuar në vend.