Vrasja e 24 vjecarit në Çair, ja deri ku jane hetimet

0

Vrasja e 24 vjeçarit Burim Idrizi do të zbardhet shumë shpejtë, brenda javës së ardhshme.

Kështu thonë për Televizionin SHENJA nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ata thonë se bashkë me Prokurorinë Publike janë duke punuar në mënyrë intensive për kapjen e autorit dhe zbulimin e motivit për vrasjen.

Mirëpo, nga MPB nuk duan që të zbardhin detaje, pasi sipas tyre, kjo do të ndikonte në hetimin e tyre, i cili është në përfundim e sipër.

Deri më tani, policia ka arritur të gjejë veturën Jugo, për të cilën dëshmitarët e rastit kanë thënë se është përdorur nga vrasësi.

Vrasja e Burim Idizit ndodhi me datë 20 dhjetor, rreth orës 17:40 minuta. Në rrugën “Xhon Kenedi”, përballë shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, vrasësi drejt të ndjerit drejtoi një breshëri plumbash nga armë zjarri e tipit “Kallashnikov”, gjashtë prej të cilave përfunduan në trupin e 24 vjeçarit.

Dëshmitarët okularë thanë se të shtënat kanë ardhur nga një makinë në lëvizje e tipit YUGO, dhe kanë qëlluar për vdekje BurimIIdrizin i cili ndodhej tek stacioni i autobusëve përballë shkollës.

Deri në momentet kur u dërgua në spital nga ndihma e shpejtë, Burim Idrizi ishte akoma gjallë, por ai nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Kjo ishte vrasja e katër që ndodh brenda një muaji dhe e dyta në Çair të Shkupit. Më herët, si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbi jetën Ismet Koka, motivet e vrasjes e të cilit akoma nuk janë zbardhur.