Keto jane datat e gjykimeve për ish-funksionarët e VMRO-së

0

Këto janë disa nga datat e caktuara të seancave gjyqësore për ditët në vijim në shumicën e rasteve të Prokurorisë Speciale Publike, njofton Portalb.mk.

18 dhjetor -Seanca për rastin “Trajektorja” në orën 09:45. “Trajektorja” është lënda në të cilën 4 funksionarë të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së dyshohet se kanë ndërmarrë veprime me të cilat janë  ndërtuar seksionet e autostradës Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, gjatë së cilës kanë pranuar ofertë më të shtrenjtë për tenderin, me çka buxhetit të Maqedonisë i kanë bërë dëm prej 150 milionë euro. Të dyshuarit janë marrë vesh vetëm me një ndërmarrje.

18 dhjetor – Në orën 11:00 është caktuar sencë për rastin “Dhuna në Komunën Qendër. Në rastin “Dhuna në Qendër” apo “Shuplakat” të akuzuar janë ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski edhe nëntë individë të tjerë.

Gruevski dhe Janakieski gjykohen bashkë, pasi që dy të akuzuar tjerë të rastit “Dhuna në qendër” në seancat paraprake kanë pranuar faji. Pas pranimit të fajit të dy të akuzuarve Jordan Ristevski dhe Tomisllav Llazarov, gjykatësja Tatjana Mihajllova e ka veçuar procedurën për ata.

19 dhjetor – Në orën 09:30 është caktuar seancë gjyqësore për rastin “Tarifa”. Në rastin “Tarifa” nën hetim janë shtatë persona të cilët dyshohet se kanë kryer vepër penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 535, alinea 5 e Kodit Penal. Të dyshuarit, kanë mundësuar që kompania fituese të merr tenderin me vlerë prej 4.092.420 euro duke mos dorëzuar dokumentacionin e plotë.

20 dhjetor – Në orën 10:00 është caktuar seancë për rastin “Sopot”.  Rasti “Sopoti” ka histori prej 14 vitesh. 12 banorë nga fshati Sopot u akuzuan se në mars të vitit 2003 kanë vendosur eksploziv në rrugën lokale Sushevo-Sopot, ku në këtë eksplodim u vranë dy anëtarë të kontingjentit polak të NATOS dhe një civil maqedonas. Kjo ndodhi dy vjet pas konfliktit të vitit 2001, kur Maqedonia ende po e merrte veten nga pasojat që i shkaktuan veprimet e armatosura edhe në planin e sigurisë edhe atë ndëretnik. “Sopoti” u hap sërish që kur Prokuroria Speciale Publike arriti të marrë lëndën nga Prokuroria Themelore Publike për shkak se në opinion u publikuan telefonata të përgjuara ku bisedohet për rastin ndërmjet ish-funksionarëve të lartë shtetëror. Dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajësisht janë burgosur.

21 dhjetor – Në orën 09:30 është caktuar seancë për rastin “Trust”. Në rastin “Trust”  i dyshuar i parë është biznesmeni dhe pronari i “Trans met DOOEL” dhe i “TV Nova” Sead Koçan për keqpërdorimin e procedurës për thirrje publike.

21 dhjetor – Në orën 10:00 është caktuar seancë gjyqësore për rastin “Toplik”.  Në “Toplik” janë të dyshuar gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski për shitjen e parcelës ndërtimore për ndërtimin e lagjes “Qyteti i Diellit” në Sopishtë të Shkupit. Për “Toplik” regjistrimet nga bisedat e përgjuara janë pranuar si prova.

22 dhjetor – Në orën 10:00 është caktuar seancë për rastin “Target dhe Fortesa” ku në këtë rast, me aktakuzë ndiqen edhe Goran Grujovski, Toni Jakimovski, Gordana Jankullovska dhe Nikolla Boshkovski, ndërsa kundër Mijallkovit dhe nëntë personave tjerë është ngritur propozim për aktakuzë.

28 dhjetor – Në orën 12:00 është caktuar seancë gjyqësore për rastin “Treqind”. Edhe ky rast ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ku një ndihmës ministër i MPB-së, dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Maqedonisë për 453.570 euro, gjatë blerjes së 300 makinave për MPB-në. Ashtu siç thanë nga PSP, i dyshuari edhe pse e ka ditur se cila ka qenë oferta më e volitshme, ai e ka pranuar atë nga Komisioni për Furnizim Publik.