Rreth gjysmë miliardë denarë Teatri i Tetovës ka borxh, premtohet revizion se si ndërtohet objekti

0

Megjithëse pa objekt vetanak dhe shpesh herë me probleme të shumta, institucioni Teatri i Tetovës në konton e saj ka borxh rreth gjysmë miliardë denarë, apo më saktë, 4 milionë e 200 mijë denarë. Këtë e bëri të ditur ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, në konferencën ku u prezantua buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2018, raporton Portalb.mk.

Allagjozovski njoftoi se ende po punohet në zhbllokimin e llogarisë së këtij institucioni.

“Meqë Teatri i Tetovës tashmë ka arritur 10 vjet. Ne punojmë për zhbllokim të llogarisë që të mund ta kryejë veprimtarinë ashti siç i takon. Shembulli i Teatrit të Tetovës është shenjë se qeveria paraprake për dikë ka qenë nënë, e për dikë ka qenë njerk. Disa institucione i ka shpërblyer me para për projektet ndërsa duke mos siguruar me kohë edhe ato mjete të cilat kanë qenë të nevojshme për veprimtarisë. Borxhi i Teatrit të Tetovës arrin shumën prej 4 milionë e 200 mijë denarë”, tha Allagjozovski.

Robert Allagjozovski

Robert Allagjozovski

Fajin e shumës së borxhit Allagjozovski ia hedh garniturës paraprake të Ministrisë së Kulturës, pasi që siç thotë ai, “vonesa e pagesave të projekteve në Teatrin e Tetovës” ka bërë që borxhi të arrijë deri në gjysmë miliardë denarë.

“Ne kemi krijuar grup punues për Teatrin e Tetovës dhe po shqyrton në detajisht borxhin e këtij institucioni. Për fat të keq ose të mirë, udhëheqësia e kaluar nuk ka faj, pasi që borxhi është rritur më shumë për shkak të mossigurimit të mjeteve buxhetore. Kjo do të thotë se nëse i kanë miratuar ndonjë program në fillim të vitit, pjesa e pagesës së atij projektit është kryer në vitin e ardhshëm, ndonjëherë edhe me vonë. Borxhi më së shpeshti është nga paditë e firmave dhe agjencitë autoriale. Borxhi i Teatrit të Tetovës vjen për shkak të përmbarimeve dhe kamatave”, tha Allagjozovski.

Meqë pas kryerjes së revizionit nga kjo Ministri për Teatrin Antik “Shkupi”, Teatrit Turk në Shkup dhe disa institucione tjera kulturore janë zvogëluar mjetet për shkak se është vërtetuar se nuk realizohen projekte për aq vlerë të të hollave që janë marrë më parë, Allagjozovski nuk përjashtoi mundësinë që revizion të kryehet edhe ndaj punimeve të ndërtimit të Teatrit të Tetovës, si projekt kapital.

Revizioni ndaj projektit kapital i ndërtimit të Teatrit të Tetovës do të bëhet që të kuptohet se si janë shpenzuar mjetet e këtij institucioni gjatë realizimit të tij.

“Nuk kemi indicione se ka pasur keqpërdorim të mjeteve gjatë ndërtimit të Teatrit të Tetovës dhe se nuk është prioritet që të revizohet nga Ministria e Kulturës. Megjithatë, do të bëjmë revizion në aspekt se si janë harxhuar paratë. Ajo çfarë mund të themi deri në këtë moment për objektin e Teatrit të Tetovës se ka pasur pengesa për shkak të mos pajtueshmërive ndërmjet partnerëve koalicionues të qeverisë paraprake. Ne këtë pengesë e kemi kaluar, punimet vazhdojnë dhe ne duke shqyrtuar parametrat kohor, në bazë të obligimeve që janë nën kompetencë tonën, do të shqyrtojmë ato pjesë që nuk përputhen”, tha Allagjozovski.

  • LEXO: Kur do të jetë gati objekti i Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Tetovë? Përgjigjet Valmir Aziri

Përndryshe, për institucionin Teatri i Tetovës me buxhetin 2018 parashihen 250 milion denarë. Sipas asaj që u njoftua nga sekretari shtetëror ditë më parë, Valmir Aziri kjo shumë parasheh përfundim të punimeve, megjithëse lëshimi zyrtar i këtij objekti do të jetë më vitin 2019.

“Për Teatrin e Tetovës kjo vlerë do të thotë përfundim i punimeve, mirëpo për shkak të disa punimeve shtesë, lëshimi zyrtar i këtij objekti do të ndodh në vitin 2019. Është hera e parë që Ministria e Kulturës lëshon kaq mjete për investime në këto dy institucione”tha Aziri ditë më parë.

Ndryshe, institucioni Teatri i Tetovës nuk ka objekt vetanak dhe funksionon në kuadër të Qendrës Kulturore të Tetovës. Ndërtimi i objektit të këtij institucioni ka vite që po bëhet ndërkaq si institucion, në hapësirën ku funksion, është përballur me probleme të shumta.