Nesër rikthehet debati për gjuhën shqipe në Kuvend

0

Gjuha shqipe në janar të vitit të ardhshëm do të zyrtarizohet në nivel të shtetit. Për këtë është i bidnur kryetari i komisionit për çështje evropiane Artan Grubi.

Të hënën rikthehet debati në këtë komision. Pas tri ditësh debat dhe shqyrtim të amendamenteve nga ana e partive politike, ligji do t’i dorëzohet kryetarit të kuvendit për miratimin përfundimtar të leximit të dytë.

“Uroj që kjo të ndodhë brenda vitit por sipas agjendës reformuese, jam i bindur se në mes të janarit e kemi të miratuar dhe në këtë mënyrë rrumbullaksohet Marrëveshja e Ohrit dhe do të arrijmë barazinë gjuhësore, do ta mbyllim një kapitull shumë të rëndësishëm që rrjedh nga M.O dhe nga lufta e vitit 2001”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Leximin e parë të këtij ligj e kundërshtuan ashpër deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët për ta penguar procesin, reagonin me replika dhe kundër replika. Tv 21 kërkoi qëndrim nga kjo parti, por nuk mori. Bazuar në deklarimet e tyre të mëhershme ky ligj, e bën Maqedoninë shtet dygjuhësor dhe se zgjidhja e ofruar është në kundërshtim me Kushtetutën. Në fazën e dytë janë dorëzuar 91 amendamente nga VMRO-DPMNE, LSDM si dhe Besa. Lidhur me bojkotin e opozitës, Grubi tha se ata duhet të reflektojnë dhe ta votojnë këtë ligj, për ndryshe procesi zhvillohet edhe pa ta.

“Uroj që VMRO-DPMNE të reflektojë dhe të vijë të votojë ligjin për gjuhë, të vinë dhe ti ballafaqojnë argumentet rreth amendamenteve të cilët kryesisht ata i kanë dorëzuar bashkë me Besën, LSDM-në”, shtoi Grubi.