Berisha: Ja ku gjenden 220 milion euro!!!

0

Ish-kryeministri Sali Berisha të hënën pasdite nga foltorja e Kuvendit denoncoi një aferë korruptive në lidhje me inceneratorin e Elbasanit që kap vlerën 220 milion euro.

Berisha tha se po paraqes një rast flagrant, të vjedhjes së 220 milion eurove të vërtetuara. Ai u bëri thirrje deputetëve socialistë, t’i marrin këto dokumente dhe të thonë se cilën fjalë mund të justifikojnë.

“Unë jam sot për të paraqitur një nga rastet më flagrante të vjedhjeve të 220 milionë eurove të vërtetuara. Ju bej thirrje ju deputetë të PS, ti marrë këto dokumente dhe të më thonë se cilët fjalë dhe shifër mund të justifikojnë. Afera është më plehrë se çdo plehrë.

Në kohën e përmbytjeve, kjo qeveri me Ramën dhe Arben Ahmetajn, brenda një dite bëjnë nëntë veprime të kundraligjshme dhe ja japin tenderin një famozi, Klodian Zoto, njeriut të Ahmetajt. Ky zotëri e merr me 22 milionë djegësin e Elbasanit, po ky zotëri e shet koncesionin me 16 milionë euro një italiani dhe fut në xhep, 7 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë. Unë ju them ju se kjo nuk ndodh kurrë nëse nuk është kryeministri dhe ministri i financave nuk janë në tavë dhe vjedhin si ujqër të pangopur taksat e shqiptarëve.

Më ka thënë një mik i shquar amerikan,avokat, kam pasur shumë miliardierë hajdutë për ti mbrojtur në gjyq, dhe nuk kishte asnjë prej tyre që nuk donte të vidhte miliardin tjetër.

Nga djegësi i Elbasanit tek djegësi i Fierit, ia dhanë prap Klodian Zotos me 28 milionë euro. Po çfarë bëri ai, ia shiti italianit me 15 milionë euro. Dhe tani me këtë në Tiranë. Në kundërshtim flagrant me çdo lloj procedure”, tha Berisha.