Ligji për amnisti, ja sa persona do lirohen nga burgjet.

0

Edhe pse në fillim u tha se ligji i amnistisë do të shkojë me procedurë të përshpejtuar në seancën e mbrëmshme qeveritare, me propozim të ekspertëve u vendos që ligji i amnistisë t’i nënshtrohet procedurës së rregullt të miratimit të ligjeve, raporton Portalb.mk.

Një tjetër ndryshim që u miratua dje nga Qeveria e Maqedonisë ndërlidhet me atë se në këtë ligj do të përfshihen individët të cilët janë dënuar deri më 20 shtator të 2017-s. Vendosja e 20 shtatorit nuk ka ndonjë arsye sipas Qeverisë së Maqedonisë.

Siç bënë të ditur nga Qeveria e Maqedonisë me miratimin e ligjit të amnistisë parashihen të lirohen nga dënimi me burg deri në 670 persona, kurse për 30% t’ju zvogëlohet dënimi 3,097 personave.

“Me ligjin për amnisti që u miratua dje nuk ka ndonjë ndryshim. Janë dy gjëra që u ndryshuan që nga momenti që ligji i amnistisë u publikua në opinion, njëra ka të bëjë me caktimin e 20 shtatorit të 2017-s, si datë te fundit e shpalljes së aktgjykimit për të amnistuarit e mundshëm dhe e dyta, ndërlidhet me mënyrën e miratimit të ligjit, i cili ndryshe nga ajo që u njoftua në fillim se do të shkojë me procedurë të përshpejtuar, i njëjti do të miratohet me procedurë të rregullt. Ligji do të hyjë në procedurë të rregullt kuvendare, pasi që opinioni prej ekspertësh do të ketë mundësi të debatojë edhe më tej për të njëjtin”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Sipas Boshnjakovskit, lajmet që u publikuan dje në disa media se me ligjin për amnisti ka mundësi të përfshihen edhe të akuzuarit për terrorin e 27 prillit, kjo nuk është e vërtetë pasi që me ligjin për amnisti parashihet “lirim dhe lehtësim të dënimit të individëve që akuzohen për vepra penale të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar ose nuk kanë filluar me mbajtjen e burgut. Duhet të ketë aktgjykim pa dallim se a kanë hyrë apo jo në burg. Nuk parashihet amnisti e personave me burgim të përjetshëm si dhe ata që dënohen për kryerje të vrasjeve, që kanë kryer vepra që kanë të bëjnë me zgjedhje dhe votime, kundër shtetit, kundër qetësisë dhe rregullave publike, kundër të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare”, sqaroi Boshnjakovski.

Se pse u vendos 20 shtatori i 2017-s, Boshnjakovski tha: “Data e 20 shtatorit të 2017 ka dalë pas debatit publik në lidhje me ligjin e amnistisë dhe pas propozimit të ekspertëve”.

Ligi i amnistisë përfshinë edhe personat të cilët kanë kryer vepra penale të parapara me Kodet Penale të shteteve jashtë Maqedonisë apo janë dënuar nga gjykatat ndërkombëtare.

“Me këtë ligj parashihet amnisti të personave të cilët kanë kryer vepra penale të parapara me Kodin Penal të një shteti tjetër derisa kryerësi i veprës penale është shtetas i Maqedonisë dhe se dënimin e mban në Republikën e Maqedonisë në bazë të parashtrimit të dënimit nga gjykata të jashtme ose ndërkombëtare dhe e njëjtat është pranuar nga gjykata e caktuar në Maqedoni”, tha Boshnjakovski.

  • Maqedoni: Zvarritja e reformave në gjyqësor, pengesë për amnistimin e të burgosurve politik

Megjithatë, në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë amnistia jepet nga Kuvendi i Maqedonisë, ndërkaq sipas Kodit Penal ajo duhet të zbatohet nga gjykatat dhe Prokuroria Publike.  Në të dyja rastet ende është herët që të flitet për një amnisti të mundshme, pasi që si Kuvendi i Maqedonisë edhe gjykatat dhe Prokuroria i kanë “duart e lidhura”.

Puna e Kuvendit vazhdimisht po bllokohet nga VMRO-DPMNE-ja me replikat dhe kundër-replikat e saja, për të cilën dëshmon rasti zvarritjes së zgjedhjes së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, miratimi i ligjit të gjuhëve dhe emërimi i prokurorit të ri publik.