Nuk gjenden ende vrasësit e Ismet Kokës, këto janë pistat hetimore…

0

Ende nuk janë zbuluar autorët e sulmit me armë të para dy ditëve në lagjen Fushë Topanë të Shkupit, ku nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë Ismet Arifi Koka nga fshati Bllacë, ndërsa u plagos Qemal Lusiani.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë për Televizionin SHENJA se sot nuk ka asnjë informatë të re për këtë rast, ndërsa paralajmëruan se gjatë ditës së nesërme do të dalin me detaje rreth këtij rasti.

Nga hetimet e para që janë realizuar në vend ngjarje, policia kishte gjetur 11 gëzhoja, ndërsa vetura si dhe celularin, rrobat dhe mjetet e tjera personale të të ndjerit janë dërguar në ekspertizë.

Ndërkaq trupi i pajetë i viktimës së këtij incidenti, me urdhër të prokurorit publik kujdestar është dorëzuar për obduksion.

Në njoftimin e parë zyrtar MPB konfirmoi se ngjarja ka ndodhur në orën 22:20 në afërsi të çajtores “Dizelldorf” dhe në të Ismet Arifi (37) nga fshati Bllacë i Shkupit ka ndërruar jetë menjëherë, ndërsa Qemal Lusjani (52) nga Shkupi është lënduar.

Policia ka bërë të ditur se para se të ndodhte incidenti, viktimat kanë qenë në çajtore dhe vrasja ka ndodhur kur janë larguar që aty dhe me veturë janë nisur kah rruga Brigada e Dytë Maqedonase.

Kur është nisur vetura, sipas njoftimit të policisë, në afërsi nga ana e vozitësit (tani më i vrarë) vrasësi (person i panjohur) me armë zjarri ka shtënë disa plumba në drejtim të veturës, me çka me disa plumba ka qëlluar për vdekje Ismet Arifin, ndërsa me një plumb ka plagosur Qemal Lusjanin në krahun e majtë. Pas sulmit, kryerësi i veprës është arratisur.

Nga MBP kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Publike po ndërmerren masat për zbardhjen e plotë të rastit. /albeu.com/