“Almiri”, juristët kundërshtojnë rikualifikimin…

0

Ish prokurori Miralem Asani vlerëson se Prokuroria e Kumanovës nuk ka bazë ligjore për të rikualifikuar veprën penale për rastin e Almir Aliut. Sipas Asanit, në xhirimet që posedon prokuroria shihet qartë se autori me vetëdije të plotë e ka kryer veprën penale dhe se qëllimi tij është të shkaktojë dëm, si pasoje e të cilës humbi jetën humbi djaloshi katër vjeçar, Almir Aliu.

Për mua është qesharake që për një vepër të tillë të bëhet me rikualifikim me një vepër më të letë duke pasur parasysh se si prove e pamohueshme është video-xhirimin që e kemi parë të gjithë ku nga ai xhirim del se ai në mënyrë të vrullshme dhe me paramendim shkon drejt fëmijës që të shkaktojë një gjë të tillë. Unë nuk e di se cilët veprime tjera i merr parasysh Prokuroria që ta bëj atë një vepër më të lehtë. Për mua këtu ka vrasje me paramendim. Nëse behet aksident në komunikacion, ai bëhet për shkak të neglizhencës që është bërë por në këtë rast ai me paramendim tenton të shkaktojë diçka- deklaroi ish prokurori Miralem Asani.

Një ditë më parë edhe babai i Almirit Sedat Aliu kërkoi që Boban Iliq të marrë dënimin e merituar dhe bashkë me të edhe i vëllai e tij ai bashkëpunëtor. Për rikualifikimin e veprës, kohë më parë kanë paralajmëruar edhe avokatët e palës së dëmtuar të cilët apelojnë që rikualifikimi të mos ndodhë.

Nuk mund ta paramendoj se dikush mendon për rikualifikim të një vepër të këtillë. Vepra penale është shumë serioze. Për këtë ka dëshmi materiale si video xhirimi ku qartë shihet qëllimi i tij, mënyra e lëvizjes dhe vrasja e Almir Aliut, por edhe tentimi për vrasjen e nënës dhe babait të fëmijës. S’di me çfarë vepre penale tjetër mund të kualifikohet kjo vepër që ka të bëjë me vrasje- deklaroi avokati Asmir Alispahic.

Ditë më parë Alsat informoi se në Prokurorinë e Lartë dhe atë Republikane ishte thirrur prokurorja e lëndës Suzana Kusigerska dhe kreu i prokurorisë së Kumanovës Goran Peshevski, lidhur me rastin “Almiri”. Prokuroria e Kumanovës kërkon që vrasja e 4 vjeçarit Almir Aliu të kalojë si “aksident rrugor me pasojë vdekjen”, ndërkohë që pala e mbrojtjes e kundërshton këtë, duke kërkuar kualifikimin “vrasje me paramendim”. Debati u inicua pas një ankese e parashtruar nga avokatët mbrojtës të rastit të Almirit për mos-marrjen parasysh të vëllait të autorit të ngjarjes Bojan Iliq, i cili nga pamjet filmike shihet se si del nga makina me të cilën është kryer vepra, dhe godet me mjet të fortë cilindo që i del përpara, dhe një sërë ankesash të tjera.