Kryehuligani Igor Jug e pranon: Kam rrehë njerëz për Gruevskin!?

0

Igor Jug i cili para tri ditëve u arrestua nga policia dhe i cili akuzohet për pjesëmarrje në turmë më 27 prill, që dhunshëm u futën në Kuvend dhe sulmuan fizikisht deputetët, mbrëmë doli me një status në rrjetet sociale ku thotë se Nikolla Gruevski e ka tradhëtuar atë.

Jug shprehet se ka vepruar në mënyrë patriotike, ndërsa për këtë nuk pranon përkrahjen nga partia dhe Gruevski. Mes tjerash ai shton se për Gruevskin ka rrahur njerëz, që ai të bëhet kryetar i VMRO-DPMNE-së, ndërsa pas këtij rasti Jug e porositi Gruevskin që për përkrahje tani të thirr Betmen dhe bandën e tij.

“Faleminderit që na e kurdise më 27 prill, faleminderit që na quajte dhunues, faleminderit që aspak nuk të erdhi keq që e dhamë jetën për ty, që u hodhëm në zjarr”, u shpreh Igor Jug përmes një statusi në Facebook.

Në lidhje me ketë Nikolla Srbov nga radhët e VMRO-DPMNE-së thotë se çdo simpatizues i
VMRO-DPMNE-së mund të ketë qëndrime të cilat nuk përputhen me ato të partisë. Ai shton se deklarata e tij nuk mund të lidhet me atë që ka thënë për liderin e partisë Nikolla Gruevski. “Në rradhët e VMRO-DPMNE-së ashtu sikur në çdo parti politike, ekzistojnë njerëz me bindje të ndryshme dhe ndonjëherë këto nuk përputhen me partinë. Të njëjtët njerëz veprojnë ndryshe dhe kryejnë veprime të cilat nuk janë në përputhje me partinë”, u shpreh Nikolla Srbov, VMRO-DPMNE.

Igor jug vuan paraburgimin prej tetë ditëve që gjykata ia shqiptoi në mungesë para katër
muajve, për veprën pjesëmarrje në turmë. Igor Jug, ishte pjesë e turmës që hyri me dhunë në Kuvend dhe u konfrontua fizikisht me deputetët e LSDM-së. Përveç hyrjes së dhunshme në Kuvend, MPB-ja pas arrestimit të Jug-ut, kumtoi se pas tij janë shkruar edhe dy fletë-arreste për sulm fizik dhe plaçkitje, vepra penale të kryera në Shkup./TV21