Revolucionet lindin se duhet të lindin!

0

Të flasësh për revolucione sot, shumëkujt i dukesh i lajthitur ose mbetje e kohëve të ,,perënduara”. E kuptoj gjeneratën time deri diku, gjeneratën që lind dhe rritet me ëndrra të topitura, gjeneratën që (dezi)informim të vetëm ka rrjetet e (dez)informimit social dhe propagandën e vazhdueshme, shterpe, të njerëzve të pushtetit, për ,,perspektivën” që na pret diku në perëndim të europës, siç i priti një ,,perspektivë” në shkretëtirat e anadollit, të parët tanë dikur e dikur. Shumë pak mësojmë për të kaluarën, për të djeshmen tonë që na pruri gjer këtu, për udhët që ndoqën gjeneratat e djeshme në situata të ngjashme me këto që po mbajmë ne brezi i ri mbi supe sot. Nga ajo që (s)arrij të kuptoj, është heshtja dhe thirrja që na bëhet për durim të pafundshëm nga ,,udhëheqësit politik shqiptarë”, po edhe nga mësimdhënësit e shumtë që kemi. Num arrij të kuptoj as të pranoj durimin gjer në përulje, durimin gjer në poshtërim, përpara fyerjeve të vazhdueshme, kërcënimeve, rrahjeve, vrasjeve dhe burgosjeve të shqiptarëve gjer me dënime të përjetshme, nga ky pushtet antishqiptar; nga ky pushtet purorracist, që kurrë një sinjal miqësie dhe barazia nuk na përcjell.
Ja përse lindin revolucionet, ja përse lindin se duhet të lindin, pavarësisht kush del përballë, kush hesht e kush gjëmon, kush i ndez se duhet të ndizen e kush përpiqet më kot t’i fikë. Revolucionet lindin se duhet të lindin!

Blerona Brao
Studente e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare
Universiteti i Tetovës